e diel, korrik 10, 2005

METAFORA POETIKE Nr. 3

Udhëtimi nëpër metaforë është udhëtim brenda magjisë së fjalës së shkruar, brenda së cilës fiksohen çastet e ekzistencës dhe udhëtimit tonë, pa qofshin ato çaste të papërsëritshme. Ajo na kthen në kujtesë, na nxjerr nga harrimet, na i rikthen çastet, pa le të jetë ai i çast edhe një sekondë i fiksuar në të. Brenda kësaj magjie të fjalës lidhen çastet, kujtimet ëndrrat. Pra vjen një çast që sikur të zgjon nga ajo ndjenjë e dhuntisë së brendshme, qoftë edhe e harruar diku. Dhe ky udhëtim, së bashku me metaforën, mbjell dashuri, shëron plagë, ndjell ëndrra të bardha, diellin e lirë, për të na i mbytur verbimet tona, që ndonjëherë mund të na pushtojnë. Udhëtimi me të, dëshmon ekzistencën tonë brenda së cilës përpëlitemi përditë. Aty ka jetë, trazime, shqetësime, shpresë, dritë, këngë... për të na i ushqyer ëndrrat tona. Është vetë magjia e fjalës, fryma e saj, vargu, të cilat shkrihen brenda saj. I gjithë misteri i këtij vargu, ka dritë që na prin përpara në udhëtimet tona. Ajo qan re, vranësira e mote të liga, për të na nxjerrë përtej hapësirave të bardha. Dhe ky çlirim, vjen si një dritë e re, si një ëndërr e bukur, si një vizion në këtë udhëtim. Ajo, tashmë bashkëjeton me ndjenjat tona, na i ruan ato si kujtime të paharruara gjatë një bashkudhëtimi plot mister. Ajo bashkëjeton edhe me ndjenjat e brezit tim, miqve të mi, që ëndrrat e tyre i shkrijnë brenda magjisë së sajë. Në këtë udhëtim mbijetese, bart gjithmonë shpresë për një të nesërme të bukur, kur dihet se në ç'kohë meditojmë sot. Ajo vjen tek ju, herë si kujtime të trazuara, herë si dhembje e mall, por me vete ka shkëlqimin e magjisë së fjalës, patjetër plotë shpresë. Është dashuria si ëndërr e trazuar, e cila e bashkëshoqëron metaforën. Të gjitha ato vijnë si lutje, si dashuri e papërjetuar, që jeton thellë në magjinë e fjalës, duke sjellë me vete dritën, shkëlqimin e fjalës së lirë. Brenda këtyre tingujve të fjalës së lirë, ndërtohen këngët e ardhjeve të bardha, liria, për të cilën njeriu aq shumë sakrifikon nga vetvetja. Pra, le të vijë metafora tek ju, si shpresë për çlodhje, pas gjithë atij udhëtimi të lodhshëm që na bashkëshoqëroi epokën tonë. Ndërkaq, malli ynë, le të vijë si çlodhje mes jush, për të na i ndjellë kthimet tona, mbathcat tona, që kanë tretur udhëve të harrimit. Le të vijë ajo tek ju, bashkë me muzën tonë, si një shkëlqim Sharri, që e bartim me vete në këtë udhëtim. Të paktën, pak shpresë nga shkëlqimi i fjalës, për t'ju thënë: Njerëz të mi, ju dua të lirë e plotë dritë!
31. 3. 2005

DËSHIRA QË MË NXJERR NGA HARRIMI

Nga sirtari i moçëm i dëshirave të mia, e nxora atë. Ka kohë që ndrydhet e paprekur thellë dhe ma kërkon dritën. Është fuqia e fjalës, metafora që kërkon tjetërsim. Është një ngacmim i brendshëm që kërkon të dalë përtej meje. Është metafora, e cila përmes metaforës e gjen dritën e ëndrrave të mia. Brenda saj rritet liria e mendimit, e fjalës, e dashurisë. Me të ushqehen këngët e bardha të një bote të re, pa përkufizime e censurë. Me të shpërthen liria e fjalës. Liri kjo që për shumë kohë na ka munguar. Jo vetëm kaq: - Metafora na nxjerr nga harrimet tona. Ajo udhëton me ne, udhëve të botës dhe nëpër miglimën e fjalëve tona, gjen jetë, dritë dhe na prin shpresave të mosharrimit. Ajo ka mall, digjet në zjarrmi, për mallin e lënë diku. Por, shpresa e mban, se një ditë do të kthehemi. Le t'u prijë ajo kthimeve tona, fjalës sonë, të mbushur plot mall e dashuri. Le të vijë ajo plot ngrohtësi, dashuri e shpresë për një të ardhme plot dritë. Le t'u prijë ajo kthimeve tona, derisa ne t'i mbathim mbathcat e kthimeve e ta djegim mallin.
Zvicër, 6.4.2005


POETËT
Cikrrimtarët e mjerë
Me qeliza fjalësh
Bëhen pre e vargut

TRASTA E MËRGIMTARIT
Gjithë jetën i hëngri vitet
Po s'u ngop me to.

POROSI
Shko pas mendjes së shëndoshë
nëse do të përfitosh

LIRIA
Liria është e ëmbël për të gjithë njësoj
por s`paguhet njëlloj


SHKRIMTARI DHE VEPRA SI AUTORITET PUBLIK

Paralelizma që mund të bëhet në mes të autoritetit të shkrimtarit dhe të veprës së tij, shpeshherë ndodh të mos jetë në vijën e barabartë të udhëtimit. Realisht vepra e një shkrimtari duhet të jetë autoriteti i tij. Megjithatë, fat të tillë vështirë të ketë qoftë një vepër apo një autor tek ne. Kjo për faktin se rrethanat që u zhvilluan në të kaluarën dhe ato që po zhvillohen tek ne, e bëjë të pamundshëm qëndrimin proporcional të autoritetit shkrimtar dhe vepër. Duke ditur se autoriteti tek ne përfitohet në forma të ndryshme duke mos mbetur vetëm në fjalën e veprës, ai shpesh tërheq kordinat autoriale mbi vijat e normales që ia ofron vepra. Paraqitja e shkrimtarit në tribuna të ndryshme, gazeta ditore, media elektronike etj., është njëra nga format e ngritjes së tij që shpesh ka rezultuar me ngritje autoritative që nuk e ka merituar. Një formë tjetër e kyçjeve në politikë siç po ndodh tek ne, është forma më ekstreme e mosparalelizmës autoritative në mes të veprës dhe shkrimtarit. Apo, ta kujtojmë të kaluarën, u ngritën e ranë autorë. Po gjatë kësaj kohe lindën terma nga më të ndryshmet, si baba i letërsisë, poet i madh, shkrimtar i madh, gjeni, e çka jo tjetër deri në absurditet. Kjo në bazë të shijeve të kritikëve fillimisht, gazetarëve nëpër media, klaneve, etj, duke i gërshetuar interesat njëri me tjetrin. Për çudi, si nuk vjen asnjë reagim nga vetë shkrimtarët apo poetët të quajtur me terma të tillë?! Ka qenë shumë logjike nëse do të reagohej ndaj këtyre emërimeve e jo t'u bëhet qejfi individëve. Kjo për faktin se: nuk ka poet kombëtar, nuk ka shkrimtar kombëtar, nuk ka poet të madh e të vogël, nuk ka gjeni. Ka poetë, shkrimtarë, ka letërsi, vlerë e jovlerë në letërsi. Këta shkrimtarë e poetë mund të kenë proklamuar në teori, ndërsa puna praktike shpeshherë ka rezultuar në tjetër drejtim. Dhe, si mund të vihet edhe letërsia, edhe veprimi i tyre individual në një binar?! Kjo sa është absurde, po aq edhe neveritëse. Më ekstremja shkon edhe sot e kësaj dite kur po këto terma janë trashëguar nga e kaluara kur dihet se çfarë transformimesh janë bërë edhe në letërsi. Le të mbetet dobësi e atyre që viktimizohen brenda këtyre lakmive. Pra, këtë autoritet tek ne po e diktojnë faktorë të jashtëm dhe derisa ky autoritet drejtohet nga këta faktorë, asnjëherë nuk mund të jetë paralel. Do të kemi ngritje të tepruara të cilat asnjëherë nuk do t'i rezistojnë kohës. E themi këtë nga përvoja perëndimore, kur autoriteti i autorit është i varur nga autoriteti i veprës dhe rrallë vepra nga autori apo asnjëherë. Ndikimi i shkrimtarit në shoqëri është mjaft i madh. Kjo për rastin se tek ne shpesh shkrimtarët e marrin rolin e prijësit, duke harruar kornizat e shkrimtarit. Pra, dëshira për të qenë të dukshëm në shoqëri është një nga të metat që i shoqëron krijuesit tanë, kjo duke i shfrytëzuar format e ndryshme të paraqitjeve. Pikërisht këtu shtrihet edhe vija e ndikimit në shoqëri. Ka ndodhur dhe po ndodh prapë tek ne kur përgjegjësia autoriale harrohet për hir të interesave të caktuara. Në vendet perëndimore shkrimtari e ruan pozicionin e vet dhe nuk e mbështet asnjëherë autoritetin e tij nga kushtet dhe zhvillimet në shoqëri. Ai ecën rrugës së tij gati i padukshëm në zhvillimet tjera shoqërore, duke i qëndruar besnik autoritetit të veprës së tij. Krijimtaria vërtet fillimisht është akt individual, por pas publikimit të veprës ajo bëhet akt publik e cila shumë shpesh ndikon në ndryshimin e mendësive njerëzore, prandaj autori asnjëherë nuk mund të fshihet pas arsyetimit se të shkruarit është akt individual. Mendoj se një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë me autoritet, janë shumë të vetëdijshëm se brenda zhvillimeve tona shoqërore ka rënie dhe ngritje të cilat nganjëherë mundë edhe t'i dëmtojnë ata në rrafshin autoritativ, prandaj mbahen të pozicionuar anash zhvillimeve të përgjithshme dhe struken prapa interesave vetjake. Zhvillimet e përgjithshme në botë po mbështeten edhe nga faktorë të jashtëm dhe kjo mund të sjellë edhe në dështim, fjala është rreth zhvillimeve politike. Pra, ka të atillë që duan të kursehen. Apo ka të tillë që mund t'u shkojë penda, por për t'u angazhuar në shërbim të interesave të gjera publike - si në politikë, ajo nuk është art i gjithkujt dhe kjo i arsyeton ata. Nga këto që u thanë më lart, qëndrimi anash nga këto zhvillime dhe mbajtja e vijës letrare të përkufizuar brenda veprës autoriale, sikur e krijon një qetësi e cila në radhë të parë i jep autorit qetësi shpirtërore brenda veprës së tij. Kështu, autoriteti i autorit do të shtrihet në rrafshin e barabartë me atë të veprës, kuptohet duke pasur parasysh edhe shumë faktorë tjerë realë të vlerësimit që e rrethojnë veprën e autorit, dhe përgjegjësia e tij do të përkufizohet brenda veprës së tij, ndryshe ajo do të jetë e dyfishtë dhe shumë e vështirë për t'u realizuar qetësia shpirtërore e kërkesave të shkrimtarit.

Gëzim Ajgeraj, 17.5.2004, Zvicër




Dritëro Agolli

Poeti plak

Dhe shkruaj i heshtur vjersha pak e ngapak
Fshehur prej gruas dhe tinëz të tjerëve,
Se fshehur flasin: 'iku nga mentë ky plak!'
I ulur diku në një qoshe fletorkën e mbaj
Mes gjunjëve kockë e lëkurë e tinëz të tjerëve,
Dhe pi si Firdusi të hidhurin çaj.
Dhe kur më zhurmon së largu një çap,
Atje ku tulitem tinës të tjerëve,

E fsheh fletorkën dhe veshët i hap.
Ç't'i bësh? S'më rrihet pa shkrepur një varg
Larguar prej gruas e tinëz të tjerëve,
Kur të lajthiturit çirren: 'Mbyll gojën ti plak!'
Ah, dua t'i them ato që s'i thashë dikur,
Ndaj kohën e shtyj mes vargjeve tinëz të tjerëve
Diku në një qoshe veçuar si gur.
Rri shkruaj veçuar jo se i trembem njeriu,
Po s'dua t'u hapet goja për mua të tjerëve
Dhe s'dua të grijnë: 'lajthiti i ziu!'
E di se jetoj me të çmendur, në gaz e në vaj,
Ndaj shkruaj fshehur prej gruas e tinëz të tjerëve
Dhe pi si Firdusi të hidhurin çaj…
Nostalgjia e plakës

Po ai sënduk i drunjtë me letër të ngjitur,
Po ajo vazo e vockël me lule zambaku,
Po ai mulli kafeje me mbulesë të grisur,
Po ato tespihe - kujtim i vjetër nga plaku.
Jeton me këto pak gjëra e shkreta:
E prek sëndukun e drunjtë e të lashtë,
I ledhaton tespihet cipësedefta,
E fshin vazon e vockël brenda e jashtë.
Dhe nusja e djalit e sheh dhe prish cepin e buzës
Me kokën e bukur mënjanë
Vështrimin plaka e ndjen me duart kryq sipër bluzës
Dhe thotë me vete:
Po ç'kanë me mua, ç'kanë"?!
Letër

I dashur mik,
Kur vjershat e mia lexon varg për varg,
Ti thua se unë në vatër kam lumturi?
Vërtet, vëlla, ashtu të duket nga larg,
Ndërsa aspak nuk e di!

I dashur mik,
Çdo natë të shtrihesh në të njëjtin krevat,
Të ngrihesh nga i njëjti shtrat çdo mëngjes,
Dyzet vjet të njëjtin varr e të njëjtin fat
Dhe i lumtur të jesh?

ILJAZ PROKSHI
MISTERI I HIENËS
Rruga më dukej e gjatë, e gjatë dhe e pa¬ka¬lueshme, saqë mezi e shihja me sy; para por¬tës ndenja një copë herë. Tinëz m'u afrua një grua e bukur dhe më tha: "Ti do t'i shohësh të gjitha". Kur u ktheva nuk e pashë më. Qielli kish marrë një pamje të bruztë, dhe çuditërisht, sa çil e mbyll sytë rruga m'u shndërrua në gjarpër dykrerësh.... Më vonë pashë minj, fytyra të shtrembra dhe qen të shumtë me nga një asht në gojë, që vraponin qytetit; krimba që lëviznin mbi ta si qenie të lemerishme. Ardhacakët as këtu s'ishin të urtë. Zunë të merrnin nëpër këmbë çdo njeri, dhe urrenin apo ndjenin neveri të çuditshme ndaj tyre. Mbi vrushkullin e dritës pashë se një pëllumb i zi i ndiqte, duke mërmëritur me zërin e tij ftigonjës, të ngjirur. Ka të ngjarë, është zë njeriu, thashë me vete, por, kushedi, mbase s'mund t'i përgjigjesha me kohë. Nuk e dija. Fundja ç'duhej të dija. Një verë me udhë, një lemeri, një rrezik më tepër. Çdo gjë e paqartë dhe e verbër. A është kush këtu apo?- pyeta veten. Zëri mezi më dilte. Qeshë bërë si i gjetur dhe kur thashë: Jam i lirë, dua të di për vuajtjet tuaja, menjëherë përpara më doli një pëllumb tjetër, pastaj një tjetër, e një tjetër dhe nisën të fluturonin rreth meje. I kuptoj mërmërimat tuaja, thashë, por ec e bjeri në fije në kuptonin diç nga ato fraza të mia. Jam pellazg, si ti, tek ndjeva një zë pas nja gjysmë ore. Çuditem si ke arritur ta shpërthesh këtë verbëri, nuk e kuptoj dot. Ç't'u desh të vish pa kaluar misteri?
Ç'shkruan në këtë gur?-pyeta paksa me zë më të lartë. Përpara dukej një shenjë e lashtë, si hieroglifë, e fshirë vende-vende, që fliste me mirëqenie; mbi të ishte kërrusur një trung dhe shenja të mbushte mendjen si të ishte një mumie. Dhe zura të spikatja mrekullinë e të folurit, të të shkruarit, si në ëndërr.
Po ju tregoj se si arrita ta ndiej ofshamën e një Plaku që më thoshte se kam dalë të të pres, pastaj sapo u afrua, sërish iki dika; prapë erdhi dhe desh të më befasonte, duke thënë se, më në fund e shporra misterin. Si gjithnjë, po vështroja. Po vallë ç'do të më pyesë ky Plak? Koka nisi të më rëndohej turbull, gati rashë si një viktimë që vështirë do të ishte pastaj për t’u zbuluar; të dytë u ndalëm në udhëkryq. Ai ishte gati t’m'i kallëzonte të gjitha, pra, edhe ato të fshehtat e brishta, tmerret e djajve. S'do mend, kjo s'ishte e sigurt, ngaqë rrugës tek pashë një hienë duke ecur përmbys; e pashë se kish diç të shëmbëllyer nga brirët. Ecja rreth e rrotull Dodonës, skaj alesë me karafila,dhe mjafton që pashë shëmtinë e saj të tmerrshme. Me gjasë, gjithçka përtej kësaj ishte tepër e paqartë dhe e mbushur sall mister.
*
Duhet të më kuptoni. E dini se misteri me vështirësi e zbulon fytyrën e vet të vërtetë. Dhe vetë mezi u ktheva në Arbëri.
Ç’pashë, o Zot!


JETA ROB

Tani po qan shpirti im
Apo patjetër duhet ta shprishë kaosin
Në mëngjes jeta rob të mos gdhijë
Të pi kafe para tendës në kamp

Patjetër më duhet të zë rend për bukë
Të mos mbetemi dot pa ngrënë
Pas kafjallit ta gjej diku një gazetë
Rob s'rri dot i lidhur si Prometheu

Mua zoti një ditë do të m'i falë të gjitha
Sepse mëkatar i përjetshëm nuk jam
Dikush atje lart më pret sidoqoftë
Patjetër këmbë do të nisesha menjëherë

Jeta rob jeta burg sa keq o zot
Ma kujton Laokoonti në bodrum
Gjarpërinjtë duke i brerë mish e eshtra
Gjak i zverdhur ç'derdhet vallë dot
Iljaz Prokshi



Arma ime më e fuqishme është penda. Me të bëj përpjekje për të mirën e atdheut dhe kombit tim.
G.Ajgeraj

Adem GASHI

SOLEMNITETI I DORËZIMIT TË
ÇELËSAVE
(motiv mesjetar)

Gjithçka pushoi si një pikë mbarimi e fillimi:
U mbyllën dritaret me perde, rrugët mbetën bosh,
Tash kalldrëmit endet vetëm ndonjë mace ose
ndonjë kone
Në bedena të muranave kërret ndonjë korb zijosh,
Pritet të vijë ferku symavijosur dhe Lajmi i Mirë
Pas gjumit: Në sheshin kryesor dorëzohen çelësat
e qytetit,
Vjen më i madhi i të mëdhenjve dhe më i madhi
i të vegjëlve
(fituesi dhe humbësi zëvendësohen me eufemizma)
I pari shtrin dorën e majtë, i dyti të djathtën,
Krenaria me mjekër ngrihet deri në qiell
Tjetra përtokë përplaset.
Pastaj hapen dritaret, dyqanet, sheshet
E këndohet një himn tjetër, një antihimn.
Me diçka të vjetër, me diçka të re arnohet Jeta
Vetëm Faji,çelësi i zemrës, mbetet jetim.

Këndo Zanë, mërinë e pazbuluar të çelësit
E primë mes për mes Parajsës, Purgatorit, Ferrit!
1979

PERLË DASHURIE
Ti qan.
Është i natyrshëm vaji për ndarje.

Një ujëvarë lotësh,
Një shikim i dielltë.

ç'është ky kryqëzim zjarresh,
Grackë për të zënë ylberet,
Mirazh për t'i krijuar ata.

Në vajin tënd vdes unë
Vdekje e tillë më zëntë gjithmonë,
Vdes dhe varrosem
Midis kurorave tua të ylberta
Dhe s'dua të lindem më kurrë,
Kurrë më...

VERA E ROMANTIKËS SË VONË

Vinim vonë kur binte nata sterrë
Te ky kënd dridhma e shqetësimi
Megjithëse ti banoje në katin e pestë
Dhe vesa e fundit e romantikës binte
Mbi fushën boshe të heshtjes,
Ishim aq afër e aq larg njëri-tjetrit

Pastaj ngjitje shkallët drejt rënies,
Streha pikonte: SH-I, SH-I, SH-I.
Inicialet e tua pikonin në lagështi.

Dashuria kishte aq shumë dhembje,
Sëmundje e rëndë e brente përbrenda
Alkimi e lotëve s'e shëronte dot.

Sonte sërish u ndodha te këndi,
Po tashti ka kaluar shumë kohë
Vesë e romantikës s'vezullon mbi flokë,
Në katin e pestë më nuk je as ti
Të tjera brenga e gëzime mbushin atë
Veç imazh i shiut m'u shfaq përsëri.

Ndaj vara kokën dhe mendova:
Edhe po të mos qe fjala për shi
Inicialet e tua do të hynin në lagështi.
1984


Sali Bashota

VJERSHA QË PO JEPTE SHPIRT
Albulena tha:
mos e gris
Është poezi e mallit të parë
Ankthi do ta zërë edhe nënën
Besiana tha:
mos e djeg
Dhembjet e shpirtit s'kanë fund
Dikush më vonë do ta vajtojë me lot
Doruntina tha:
mos e plagos
Është mëkat të vritet vargu
Sapo lind me klithmë
Etleva tha:
mos e përgjak
Do të bien të gjitha kambanat e trishtimit
Fjalë shpëtimtare më s'do të ketë
Rozafa tha:
mos e varros
Vjershën që deshi pak atdhe
Për shpirtin e vet

MEDITIM I TRISHTË

Vjershë pikëllimi e zhvarros atë turmë
Në sheshin e fitores sërish lë gjurmë
Meditim i trishtë i veshur në zi
Plasarit murin që s'rrënohet assesi
Poeti klith kur i përgjaket poezia
Tis i errët e mbulon s'përkulet krenaria
Revolta kthehet në shigjetë mallkimi
Në cilin ferr po na zë verbimi
Meditim i trishtë i veshur në zi
Ç'të bëj me vargjet e rëna në barbari
Fytyrë e vdekur lisin e gjakut e mbulon
Kujtim i gjallë sa shekuj na robëron
Gurvarrit tim i duhet bukuria hije
Dhe një kambanë zhvarrimit sa i bie
(1994)
FJALA

Në gjuhën e gjakut a je rrënjë e butë
Dhe pse fati të gjuan me shigjetë
Mësoje përjetë atë thënie të urtë
Mos shkel besën pa dhënë jetë

Poetët nuk heshtin pse ulërin nata
Tani korbit krahët po i zbardhen
Erdh kohë e shqetësimeve të gjata
Rrezet e diellit me hije nuk ndalen

Dikur ishte dashuri e pa mbaruar
Kur nëna na vinte mbi djep skifterin e kuq
Tash ç'do të thotë kjo kohë e lotuar
A kërcen hop ti apo dikush bie klluq
(1989)


NDJENJA PËR NËNËN

Nëna s'do të qajë më
Nëna s'do të klithë habitshëm

Shiu prapë ia lag trupin
Që t'i rritet nuri
Të mos rrëzohet muri
Dhe të bëjë mot i mirë

Por nëna
S'do t'i harrojë dhembjet
As zërin e përvajshëm të qyqeve

Nesër
Kur dielli lind përsëri
(1989)




Xhevahir Spahiu

Poezi nga libri:Pezull

Të zgjatësh dorën
e të këputësh mollën

të hedhësh këmbën
e të përçikësh hënën

të nisësh syrin
e të përkryesh yllin

të shkulësh zemrën
e të përgjakësh ëndrrën
Himarë, korrik 1995

ZEZONA
Ka muaj që duart e ngrata s'më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s'e di nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.

Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjalë uloke... dhe ...sot ashtu... si dje;
aq sa je gati me grusht t'i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.

Mungesa e vetmisë më ka munduar,
tani i vetëm ndihem, si në morg;
nëse përshesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë nuk i ndolla kob.

Ngre kurthe ditë-nata; dimër-vera
shtrigon, mpreh thikat;ç'besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë...
dhjetor 1984



Ali Podrimja

Poezi nga libri:Buzëqeshje në kafaz

Në një bodrum të shekullit njëzet

Diku në katin e mesëm fqinji im sa më sheh e hap
derën dhe nis ta pastrojë armën e ftohtë E fshin
dhe buzëqesh me një zë të veçantë që më së paku i
ngjan gazit të njeriut Kështu vepron gati çdo ditë
por unë e di kush ja ka dhënë atë armë
vdekjeprurëse
dhe në cilën çetë vrasësh do të rreshtohet
Vetëm nuk e di a e di i gjori se unë nuk kam të dre-
jtë të jetoj Shkruaj këtë tekst të dëshmoj se unë
rroj në një vend me emrin Kosova ku fëmijët as të
rriturit nuk dinë kur janë Kërshëndellat Viti i ri
apo ndonjë festë kombëtare
Në kokërr të shpinës shkruaj dhe lexoj yjet para
se të fiken në një bodrum të shekullit t¨njëzet kur
po merr fund edhe bashkimi i Evropës së dresuar
Ndoshta më mirë është të veproj kështu se sa të
zbres në mes të gogolëve të cilët na kanë zënë t'ia
djegin bishtin Evropës
Oh Evropë
si po dukesh
pa bisht
Prishtinë, 29.12.1991

BUZËQESHJE NË KAFAZ

Derisa petritët agonët albanët
çojnë dashuri
me sorkadhe bubulina shqipe
e zbardhen në veti
në hijen e krahëve të korbave
sheshelët e arkanët e gogolët
argëtojnë kopilat e mëhallës
klounët kukulla në thasë najloni
kyçin duartrokitje buzëqeshje në kafaz
dhe i bartin tej vezullimave


RELIKE TË FUNDSHEKULLIT

Kur dhuna
bëhet ligj
liria është afër

Njerëzit rrinë zgjuar
Natë as ditë
s'tregon ora

Rreth qafe me gishtërinj e vesh
e sy fëmijësh
hijet shndërrohen
në varr të gjallë

Liria s'është larg
kur ligji
bëhet dhunë


DELERIUM

Një kokë erbe
dhjetë koka shqiptare
Pak Vojvodë")

Një kokë serbe
njëqind koka shqiptare
Shumë pak Vojvodë

Një kokë serbe
një mijë koka shqiptare
Si asnjë për Qele Kullë Vojvodë

Oh zot
të mori djalli
------------------
") Prijës çetnik





ENGJËLL SHEHU

DASHURIA IME

Çdo ditë në kokën time mendime mbledhur
qëndrojnë në pritje të një përgjigje të kërkuar
ashtu si përherë me ëndrra te parealizuara
dashuri dhe ndjenja akoma të pashuara.

Vallë a do t'vijë kjo ditë shumë e dëshiruar?
prej vitesh më ka sfilitur dhe torturuar
si ëndërr mes ëndrrave të imagjinuar
e me etje nga kjo zemër e përvëluar

pritur ja s’vonoj një çast u duke në horizonte
kur unë sytë i mbaja lart në qiellin me re
plot dashuri, gjallëri e mbushur me vitalitet
më mbështolle për qafe dhe papritur më the :

kujtoje i dashur se nën qiellin e mbushur me re
s’do të shihja unë ty ku këmbët të mbanin mbi dhe
se zemra jote qëndronte e hapur e me shpresë
e tani që zoti na bëri bashkë, jam e lumtur le të vdes

në këtë kohë nuk doja syve të mi t'u besoja
por ja që ëndrra qe prej vitesh që ëndërroja
u bë realitet ashtu siç unë doja dhe dëshiroja
që kështu siç jam i lumtur doja juve t’ua tregoja

si fati im qofshin të gjithë ata që dashurojnë
jo m ish dhe histori që shpesh tregojnë
por me një të vërtetë reale që mua me ndodhi
dhe për jetë në krahët e të dashurës më hodhi.

Belgjikë, 31.1.2005

Flori BRUQI

AKUARELI I DIELLIT

Iku Tetëmbëdhjetëvjeçare
E bukur S...
Si hëna pesëmbëdhjetë
Në fletore shkroi vjershën
Për Mëngjesin në Prishtinë
I pëlqyen soliterët e lartë
Dhe shtëpitë plot blozë
Tjegullat e çative të ulëta
Me myshqe të venitura
Shtegu i fushës kujtonte nënën
Më këmbë t'amputuar
Dhe Agimin e madh pas shiut
Që lëkundin pemët në zgavra
Në Prishtinë..
Ajo me gishtin tregues vizatoi
Në xhamat e ateles
Profilin e babait plak-Metë
Pastaj e fshiu me dorë
Dhe dorën e puthi
Kur u kthye në vendlindje
Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
Në kalldrëm...
Dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
Në agimin e azhurtë
Hapi dritaren

Rrotulloi çuditshëm
Lindjen e Diellit
Hijet në vetminë e rrugës
Dallëndyshet
Një pikë vesë
Në mbrëmjen e majit
Ngriti penelin
Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
Pikturoi rrugën
Me baltë të Strellcit
Durakun plak
Kopshtet me dardhë
Fshatarët e vyer
Me drapërinj në duar
Shtëpi me dyer të rënda
Strehë me borë
Hapësira bojë gushëpëllumbi
Nga fshatrat malorë...

Strellc-Deçan, 1.12.2004



2.

MENDIM I KREDHUR


Shpirti i Saj
Një lëndinë Qershori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë
E dua atë


Era viteve
Buzët do t'ia vyshkë
Reliefin e kuq të mollëzave
Vizat e rrudhave do t'ia prishin
Por
Megjithatë e dua


Sot
Kur me të jam i dritësuar
Në shpirtin e përjetshëm
Jam i rrethuar edhe më njomësi
Edhe me rrudha
Nga pranvera e syve
Margaritarë të Saj

Gostivar, 21.11.2004



PARATHËNIA E LIBRIT: PËLLUMBAT E LIRISË

Në vorbullën e luftës për liri, përplaset dhe përjeton peripeci vogëlushi Granit me moshatarët e tij në një fshat të Sharrit. Gjendet mes shumë përpëlitjesh në moshë të njomë. Zemra i zhuritet të radhitet mes luftëtarëve të lirisë, po ja që këshillat e Mësuesit, të Gjyshit e edhe të Babait nga mërgimi tek ai kërkojnë që të mësojnë dhe se, lufta është për të rriturit.
Kjo moshë përjetoi çaste të hidhura, në e parë me largimin e Mësuesit që i përgjigjet kushtrimit të luftës, më pastaj me vrasjen e Komandantit, e në fund me vrasjen e Mësuesit dhe trimave tjerë. Por nga ana tjetër fëmijët kureshtarë përjetojnë edhe çaste gëzimi, mburrje të papërmbajtur sapo i shohin nga afër, i njohin dhe i adhurojnë ushtarët tanë me uniforma dhe me shenja kombëtare. Tek fëmijët lulëzon ajo lulja e ëndrrës së lashtë të kenë ushtarët e vet, mbrojtësit dhe çlirimtarët kjo tokë e zhuritur ndër shekuj. Ajgeraj, rrëfen qetë e bindshëm për Granitin me moshatarët që ndajnë Gëzimet e hidhërimet dhe përjetojnë momente edhe tronditëse në fund gjatë ofensivës së fortë të armikut, të cilën luftëtarët e lirisë përballojnë burrërisht. Vrasja e Gjyshit Granitin sikur e shkërmoq, por përmes vdekjes së tij, ia njeh edhe më mirë trimërinë dhe shpirtin e tij prej patriotit të paepur, që s'desh të largohej nga shtëpia… Me rrëfimet e gjyshit sa qe gjallë, nipi Granit mëson për të kaluarën jo vetëm të tij por të njeriut tanë gjatë një lufte tjetër, kur premtimet dhe shpresat e popullit tanë për liri të plotë e bashkim kombëtar kishin firuar. Në fund të rrëfimit, sërish fëmijëve fati u buzëqesh me një shkollë të re, mbi shkrumbin e luftës në fshatin që qe bërë shpuzë nga ushtria e policia barbare serbe.
Rifat Kukaj, Prishtinë 2004



Besim R Cengu

Dy fjalë për romanin

Është krejt e natyrshme, që kur kapërcehen epokat e vështira në një popull, të shkruhen vepra artistike entuziaste. Kjo është kryesorja. Pastaj se sa janë këto vepra artistike të arritura, është tjetër punë. Periudha dramatike që kalon një popull, karakterizohet nga prodhimi i bollshëm artistik në të gjitha gjinitë, si reflektim dhe përjetim i gjithë asaj që ka ndodhur dhe, që është bërë shkas për transformimet rrënjësore për kalimin në një gjendje, në një gjendje tjetër psikologjike e sociale e një kolektivi. Pikërisht në këtë situatë, ndodhet populli shqiptar pas luftës kundër pushtuesit serb në fundin e shekullit të njëzet.
Romani për fëmijë i Gëzim Ajgerajt, "Ditë të Bardha", është shkruar në këtë situatë të popullit shqiptar. Okupatori nuk është më. Njerëzit tashmë janë të lirë, të entuziazmuar, optimistë e të gatshëm për të rindërtuar shtëpitë dhe vendin nga shkatërrimi i luftës absurde shkaktuar nga okupatori i egër. Mirëpo, bashkudhëtare me lirinë e fituar është edhe dhimbja për të rënët, për dëshmorët e lirisë, që nuk janë më midis nesh. Ata dhanë jetën për lirinë e popullit, për lirinë dhe prosperitetin e brezave që do ta gëzojnë tokën shqiptare. "Nënë, unë po shkoj në luftë për të çliruar vendin. Ndoshta edhe do të vritem, por nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është se do të fitojë lirinë populli ynë". Kështu i pat thënë Agim Shala nënës së tij, kur po nisej për në front.
Gjithçka në roman shikohet përmes syve të një fëmije. Granit Sharri, një vogëlush i shkathët dhe i zgjuar, i cili nuk beson se vërtet ka ardhur liria. Shumë gjëra ai do t'i mësojë tani, pasi është kthyer në shtëpi. Ndërsa nëna, gjyshja e tij e shtrenjtë dhe motra, Blerta, po stabilizonin shtëpinë, kthehet nga mërgimi babai. Të gjithë gëzohen pa masë. Gjithçka po zhvillohej si në një ëndërr të bukur. Nga ana tjetër, Graniti shikon me admirim dajë Xhemën dhe luftëtarët e UÇK-së, që aq shumë kishin dhënë për çlirimin e vendit. Gjithçka kalon si në një pasqyrë para syve të djaloshit. Kudo sundon optimizmi dhe gatishmëria për të kthyer çdo gjë në normalitet.
Autori, përmes figurës së Granitit, synon që të depërtojë në të gjitha shqetësimet e pasluftës. Së pari, autori nxjerr në pah idenë, se pa respektuar të rënët dhe pa vlerësuar veprën e tyre të rëndësishme historike, nuk mund të ketë fillim të asnjë pune tjetër. Kjo gjë, del tek interesimi i vazhdueshëm i djalit të vogël për të shkuar në përkujtimet për të rënët, për ata heronj që nuk u përkulën përpara askujt për të arritur qëllimin e lartë të lirisë. Shumë emocionale janë momentet kur Graniti reciton me shumë ndjenjë, apo kur ai ndodhet para shtatores së mësuesit në qendër të Prizrenit. Së dyti, autori ka mundur të paraqesë një tablo të qartë dhe të plotë të periudhës së pasçlirimit. Ai nuk rreket të ndërlikojë fjalinë dhe fjalën, por përmes një përshkrimi të thjeshtë e të qartë, arrin qëllimin që ai i ka vënë vetes. Gjithashtu, ka ditur të ndërthurë personazhet realë me ato artistike, ndërmarrje e cila i ka dhënë dorë autorit që të konkretizojë sa më mirë epokën për të cilën ai shkruan.
Përfundimisht, autori pyetjes së sinqertë të personazhit kryesor, Granit Sharrit, "se a ka ardhur vërtet liria?", i jep përgjigjen e qartë se liria jo vetëm se ka ardhur dhe po e gëzojmë, por se, përgjithmonë populli shqiptar do të jetë i lirë. Atë, askush më nuk do ta pengojë në ecjen e tij përpara. Prokupacioni i Granitit, tashmë është të jetë nxënës i shkëlqyeshëm në shkollë. Atë dhe bashkëmoshatarët e tij nuk do t'i pengojë kush më që t'i këndojnë atdheut, të thurin vargje për dëshmorët dhe mësuesit e tyre. Prandaj, e ardhmja do të jetë shumë e mirë.
Libri "Ditë të Bardha" ka vlera, sepse secili prej fëmijëve tanë ndjehet personazh në këtë libër. Granit Sharri, është tipizimi i fëmijës së sotëm, pa të cilët nuk mund të kuptohet asnjë aktivitet, asnjë përkujtim për dëshmorët tanë që u flijuan për atdheun. Dëshmorët janë frymëzimi i brezit tonë që po rritet, ndërsa ky brez i shëndoshë është objekt frymëzimi për ne që na detyron të ndërtojmë jetën tonë të re të bukur e të lumtur.
Kukës, 2004


TREGIM

TRENAT DHE TONI
Rrezja e parë e diellit, Tonin e gjeti në dritare. Aty ai e kalon kohën. Dritarja e tij është në katin e katërt të apartamentit që gjendet pranë stacionit të trenave. Toni me babanë, të ëmën dhe të vëllain gjenden më se pesë vjet në mërgim dhe tash shkon në klasën e gjashtë. Ai është nxënës i shkëlqyeshëm, por ka një hall që e mundon çdo ditë.
Sa herë gjen kohë të lirë ulet në një ulëse pranë dritares, hedh dy duart në faqe, duke tretur shikimin diku pas udhëtimit të trenave, madje nganjëherë sikur i humbur në mendime lëviz duart në shenjë përshëndetjeje. Duke kuptuar shqetësimet, edhe babai filloi të merakoset për të.
- Një ditë, derisa po rrinte në dritare iu afrua pranë dhe e pyeti : A më thua Toni, çfarë të mundon?
- Ai ngurronte t'i tregojë babait, por pas insistimit të dytë të babait, atij iu mbushën sytë lot dhe me zërin pak si të çjerrë tha: Po i shikoj trenat baba, njëri nga këta me siguri do të shkojë edhe në Kosovë. Ah sikur të m'i marrë edhe dëshirat e mia me vete!
- Do të shkojmë edhe ne një ditë me tren Toni, - i tha babai, duke ia përkëdhelur flokët e buta të tij, madje shumë shpejt, ndoshta gjatë pushimeve verore.
- Toni u gëzua dhe, nga gëzimi u ngrit në këmbë dhe iu hodh në qafë babait, duke iu lutur që sa më parë t'i rezervonin biletat e udhëtimit.
- Që nga ajo ditë, Toni shikonte me kënaqësi ecjet gjarpërore të vagonëve të trenave, duke numëruar ditët sa më të shpejta të kthimit për në vendlindje.
Zvicër, 7 korrik 2000



Përrallë
Gara e vrapimit me anije në lumë

Në anijen e vogël prej drurit, kishin hipur të gjithë miturakët. Culi dinak, ishte i pari dhe i dirigjonte shokët se nga duhej ta drejtonin anijen, ndërsa Ceni, Cimi, Coli dhe Mici në dorë kishin lopatat prej druri me të cilat duhej ta drejtonin anijen e vogël prej druri, ndërsa dembeli Toni ishte ulur i fundit dhe kishte rënë për të fjetur, duke mos i interesuar fare kjo garë.
Në garë ishin futur edhe ekipi i dhelprave, derrave dhe i elefantëve. Gara ishte e gjatë dhe zhvillohej në lumin e qytetit, pastaj kalonte përreth pyjeve e përskaj qytetit.
Miturakët, ishin pak të përgatitur për në garë, aq më keq kur edhe dembel Toni nuk interesohej fare për t'u ndihmuar shokëve që të arrinin sa më parë në cak. Ceni shpesh gjatë garës merrte ujë dhe i lagte shokët. I ngacmonte ata duke mos lënë të qetë. Kjo më tepër e dëshpëronte sportistin Coli i cili jepte tërë fuqinë që të arrinte sa më parë në cak.
Ndërsa zogjtë që e përcillnin garën, vazhdimisht e përcillnin ekipin e picimulëve, sikur do t'u shtohet vullneti për suksese.
Edhe milingonat nga skaji i lumit anonin kah ekipi i picimulëve. Tani më gara e kishte kaluar qytetin dhe po i afrohej pyllit, papritmas në mes dy brigjeve të lumit qëndronte një lis i cili e kishte nxënë rrugën e lumit.
Dhelpra plakë e kishte parë se picimulët po përparonin në garë dhe e kishte prerë lisin për t'i penguar ata.
Ç`të bëjmë tani – tha Coli. E kemi një pengesë në mes të lumit. Të gjithë picimulët u shtangën, duke mos ditur çfarë të bënin. Derisa ishin ndalur dhe po rendonin nga lumi, doli delfini.
- Ç'keni vogëlush? - i pyeti ai. E kemi një pengesë përpara dhe nuk mund ta kapërcejmë, foli sportist Coli.
- E keni një litar?- pyeti delfini.
Po, po - tha Mici i vogël, dhe i zgjati duart ku e mbante litarin.
- Pasi e lidhën lisin me litar, dhe për njërin skaj të anijes së vogël, delfini me krahët e tij filloi ta tërheqë anijen, deri sa e largoi lisin nga lumi, pastaj ai vendosi që picimulëve t'u u ndihmojë edhe më tutje deri në cakë.
Tani më picimulët i tërhiqte delfini, dhe me një shpejtësi shumë të madhe arritën në cak duke lënë ekipin e dhelprave, elefantëve dhe derrave shumë mbrapa.
Në skajin e lumit kishte shumë shikues si: milingonat, minjtë, zogjtë. Ata të gjithë filluan duartrokitjet për fitoren e picimulëve.
Ata e zunë vendin e parë në garën e vrapimit me anijen e vogël, dhe të gjithë e morën nga një medalje të artë për fitoren.
Pastaj u kthyen të gëzuar në dhomën e tyre, u pastruan, pushuan dhe ranë për të fjetur, që dita e nesërme, dhe gara e ardhshme t'i gjejë të pushuar dhe të përgatitur.
Zvicër, 24.2..1997


Kujtimet për luftën e Vërrinit, na përcjellin në çdo hap

Në luftën e Kosovës, në zonën e Vërrinit, nga 1 – 6 shtator u zhvillua luftë e ashpër e ushtarëve të UÇK-së (nga 15 gushti, Brigada 125 e ZOP) kundër forcave pushtuese serbe. Zona e luftës ishte e ndarë në dy batalione: I pari udhëhiqej nga Naser Berisha, e që pastaj ndaheshin në kompani dhe në njësite. Në kuadër të kësaj brigade hynin katundet: Arbëria (ish- Leskoveci) Lezi, Kushtendili, Malësia e Vërrinit (ish-Lybeqeva), dhe Batalioni i Dytë që udhëhiqej nga Zafir Berisha, ku bënin pjesë katundet: Kushtrimi (ish-Billusha), Gurra (ish- Poslishti), Hoqa e Qytetit dhe katundi Gjeq (ish-Jeshkova), ku gjendej edhe Komanda e Brigadës 125 e ZOP-it. Rreth detajeve të organizimit, flet Zafir Berisha, në librin Rruga e lirisë (intervistë), botuar nga Asociacioni i Veteranëve të UÇK-së në Prizren, në vitin 2002 (autorë G.A.). Gjatë kësaj lufte, ranë edhe shumë dëshmorë në këto anë. Ata ranë duke mbrojtur e duke i rezistuar armikut. Ranë për të mos vdekur kurrë si trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i mbrojtur trojet stërgjyshore, më 1, 2 e 3 shtator 1998, si Xhevat Berisha (Komandant i ZKZ-së), Selajdin Berisha, Komandant i Policisë Ushtarake (Pehlivani), trim e luftëtar i paepur, Shefqet Berisha, Bekim Berisha, Ibrahim Osmani, i cili luftoi përkrah babait Mursel Osmani. Ibrahimi ra heroikisht në fushën e nderit bashkë me trima të tjerë në luftën e Lezit. Ranë dëshmorë Shehadin Berisha, trim dhe guximtar i rrallë dhe ushtari më i ri në rrethin e Vërrinit. Mësuesi Hasim Berisha, Nehat Berisha, Naip Berisha, Alajdin Berisha, dhe dy pleqtë: Izeir Berisha e Asllan Berisha, si dhe një luftëtar i panjohur. Më 2.9.1998, në katundin Jeshkovë ranë 4 dëshmorë si: Agim Shala, Fatmir Berisha, Besim Shala, Avdi Shala. Në katundin Kushtendil ranë: Tamil Shala, Milaim Thaçi dhe Refki Shala. Po këto ditë në malet e Lezit u vranë: Muhamet e Xhymret Shemsedini nga Zaplluzha, dhe Sabri Maliqi nga Kuklibegu i Opojës. Gjithashtu në katundin Malësi të Vërrinit nga forcat serbe u vra edhe i riu Arsim Maliqaj, nga katundi Gurrë (ish-Poslishti). Gjatë kësaj lufte pat edhe shumë viktima civile, si pleq e plaka dhe Arlind Kryeziu, një fëmijë pesëvjeçar në Malësi të Vërrinit, si dhe shumë të plagosur të tjerë. Në Malësi të Vërrinit u vranë edhe shumë pleq si: Bajram Thaçi, Nesim Krasniqi (i cili rezistoi me pushkë në dorë), Mursel Halilaj, Skender Mehmetaj, Qazim Poniku dhe Agush Kryeziu. Në Hoqë të Qytetit: Fatë Shala dhe Xhemil Krasniqi. Në katundin Gjeq (ish Jeshkovë), pos katër luftëtarëve të lirisë edhe këta pleq e gra si: Mirvete Shala, Merxhan Shala, Fatime Shala dhe Kadishe Berisha, po ashtu këto ditë edhe në katundin Arbëri (ish-Leskovec) nga një granatë serbe u vranë disa fëmijë të familjes Xhemaj: Betim e Behar Xhemaj dhe Hashim Kryeziu dhe disa të tjerë u plagosën. U dogjën në tërësi katundet: Lezi, Malësia e Vërrinit (ish-Lybeqeva), Arbëria (ish-Leskoveci) dhe Gjeqi (ish-Jeshkova). Lufta në këto anë vazhdoi dhe nuk u ndal deri në çlirimin e Kosovës. Kështu,më 11 mars 1999 ranë këta dëshmorë: Hysen Rexhepi, Tahir Gashi, Alajdin Xhezairi, Hajdar Shala, Ymridin Çengaj, Hamit Thaçi, Feriz Susuri, Bashkim Suka, Skender Latifi, të udhëhequr nga Komandant Samidin Xhezairi i njohur me emrin Hoxha, i cili bëri nam dhe la emër si luftëtar dhe guximtar i rrallë në luftën Çlirimtare të Kosovës dhe në trojet etnike shqiptare në Maqedoni. Po këto ditë pa gjurmë u zhdukën edhe shumë të rinj nga këto anë si: Në Malësi të Vërrinit, Bali Qemajl Avdaj , Shemsedin Tamil Shala nga Kushtendili, Nuridin Shala nga Jeshkova, Rexhep Buduri nga Hoqa e Qytetit, Shehadin Gashi nga Kushtrimi (ish-Billusha), Besnik Kastrati nga Arbana (ish-Dushanova), Musli Gashi nga Hatmaxha, Faik Begaj nga Banja e Malishevës dhe Ymer Shala nga Gjeqi (ish Jeshkova-Plisbardhi i Vërrinit). Edhe Komandant Zafir Berisha, i njohur për heroizmin e tij të guximshëm deri në çlirimin e Kosovës dhe shumë djem e vajza trima e trimëresha luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën epitetin dëshmorëve të gjallë, dhe është nder i madh për ne që i kemi. Lavdi të gjithë atyre që ranë për të mos vdekur kurrë! Nder dhe respekt për të gjithë ata që luftuan dhe janë gjallë. Do t'u ngelim borxh ndoshta shumë djemve që nuk mund t'ua përmendim emrat në këtë rrëfim të shkurtër, duke shpresuar në mirëkuptimin tyre. Derisa kujtimet për luftën e Vërrinit më përcillnin në çdo hap, ne kaluam nga mali i Jabllanicës, dolëm në “Shtëpinë e Malorëve” të Struzhës. Makina vazhdonte vrapin duke u luhatur herë në të majtë e herë në të djathtë. Rruga ishte e pameremetuar. Degët e lisave përkëdhelnin makinën herë në njërën anë e herë në tjetrën. Na dukej sikur ishim në një pritje duka na i zgjatur duart pritësit fisnikë e bujarë për të na përshëndetur. Kjo, për mua qe tamam një pritje, siç e pret vendi birin e vet që u munguakësh shumë vite nga mërgimi. Një gjë ma trishtonte trupin kur mendoja se gjatë luftës shkijet kriminelë, si mijëra katunde të Kosovës, dogjën edhe katundin tim dhe vranë e torturuan shumë nga bashkëfshatarët e mi. I shpërngulën të gjithë duke i trajtuar si kafshë. I mblodhën dhe i rrethuan në xhaminë e katundit që pastaj i shpërngulën nga vatrat e tyre që të gjithë. Ushtarët çetnikë-fashistë serbë, në Struzhë i kërkonin ushtarët e UÇK-së. Ata, siç e kanë zakon, nga frika i merrnin djemtë tanë dhe i mbanin përpara si mburojë. Po ata nuk u kënaqën vetëm me shpërnguljen dhe zbrazjen e katundit, por torturuan e vranë disa nga katundarët. Vranë plakun 90 vjeçar, Emrush Sezallarin te pragu i shtëpisë së vet vetëm e vetëm që ai nuk pranonte ta linte shtëpinë dhe katundin e lindjes ku e kishte kaluar tërë jetën. Nurishahe Pirecin e dogjën në shtëpi edhe ashtu e sëmurë dhe nuk mund të dilte nga shtëpia. Ra viktimë edhe plaku mjekërbardhë, Jeshar Pireci, po ashtu i moshuar dhe i lodhur nga pleqëria që e detyruan ta linte shtëpinë dhe diku, në Kuvet, larg shtëpisë vdiq. Ra viktimë edhe Enez Pireci, invalid, i cili nuk mundi të largohej me shpejtësi siç urdhëronin shkijet çetnikë. Fat të tillë pësoi edhe Sherefet Haxhillari, invalid, i cili vdiq diku afër kufirit shqiptaro-shqiptar. E vranë Hanif Mujin, një ndër veprimtarët me nam, i cili mbante lidhjet dhe jepte e merrte informata për UÇK-në. Hanifi, drejtori i shkollës në Struzhë, kurrë nuk i përfillte urdhrat e pushtuesve që vinin nga komuna e Prizrenit. Ai ra në sy si njëri moszbatues i urdhrave dhe si njëri që nuk frikësohej nga armiku shkja. Katundi Struzhë ka pasur luftëtarë që kanë qenë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste për lirinë e kësaj toke si: Neshat Tafallari, Isa Haxhillari, Belul Tafallari, Hajriz Haxhillari, Gafur Xhafer Karanezi, i cili ra heroikisht duke luftuar si luan në një katund afër Kërçovës...
Duke shikuar katundet, fushat, malet, bjeshkët, më vinte në kujtesë zëri i këngëtarit Gëzim Nika, i cili i këndon aq bukur e aq përmallshëm Shqipërisë nënë, viseve të saj aq të bukura. Nuk më largoheshin nga mendja vargjet e Naimit të madh: O malet e Shqipërisë e O ju o lisat e gjatë, fusha me lule, që u kam ndër mend ditë e natë... Kujtimet vazhdojnë...

Nga libri: “Zot të kësaj toke jemi ne”, Faridin Tafallari, Prizren, 2004.


Në shtatë vjetorin e rënies heroike të veprimtarit, patriotit , luftëtarit dhe komandantit të parë të UÇK-së për rajonin e Prizrenit, Remzi Ademaj, komandant “Petrit Kodra”

Shkruan:Shefajet Berisha

Në kohën kur krismat e Adem Jasharit, komandantit legjendar, zgjuan ndërgjegjen kombëtare dhe kur UÇK-ja si një ‘feniks dhe rreze dielli’ po shndriste në të gjitha anët e Kosovës, në malet e Vërrinit, pas vuajtjeve të shumta dhe veprimtarisë patriotike dhe atdhetare në diasporë, për të udhëhequr këtë ushtri edhe në rajonin e Prizrenit, vjen Remzi Ademaj, i njohur me pseudonimin komandant ‘Petrit Kodra’. U lind në fshatin Zhur të Prizrenit, në qershor të vitit 1952. Remzi Ademaj ishte, është dhe do të mbetet njëri ndër patriotët, ideologët, luftëtarët dhe komandantët më të shquar jo vetëm të anës së Prizrenit , por edhe të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi. I brumosur dhe i rritur me ide përparimtare e patriotike, Remzi Ademaj paraqet figurën më të kompletuar kombëtare. Ai ishte njëri ndër bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe shokët më të ngushtë të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, nga të cilët edhe u nda i fundit gjatë varrimit të tyre në Gjermani. Duke mos u pajtuar kurrë me sundimin dhe pushtimin e Kosovës, gjatë jetës burgoset dy herë nga UDB-ja jugosllave. Herën e parë vuan 6 vjet nëpër burgjet famëkeqe të Jugosllavisë, ndërsa herën e dytë dënohet me 36 muaj burg. Megjithatë, përkundër vuajtjeve dhe përdorimit të formave më çnjerëzore që përdori pushtuesi ndaj tij, kurrë nuk arriti ta gjunjëzojnë këtë bir dhe martir të Kosovës duke mos mundur t'ia shuajnë etjen për lirinë e Kosovës. Remzi Ademaj, rrjedh nga një familje me tradita kombëtare, i mësuar gjithmonë në këtë frymë nga i ati Bajrami dhe e ëma Nazifja . Që i ri, nuk u pajtua kurrë me regjimin e egër serbosllav që me decenie robëroi këto toka, ndërsa për shkak të kushteve të vështira dhe ndjekjeve të vazhdueshme të pushtetit serb, Remziu u mërgua në Gjermani. Atje ra në kontakt me patriotë të shquar të lëvizjes kombëtare, si vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e shumë të tjerë. Vrasja e këtyre atdhetarëve të shquar në Gjermani nga UDB-ja e Beogradit , Remziut ia shtoi edhe më tepër dashurinë ndaj atdheut, natyrisht edhe urrejtjen ndaj pushtuesit. Remzi Ademaj u betua para varrit të dëshmorëve Gërvalla e Zeka, se humbjen e tyre do ta shndërrojë në forcë dhe do të vijë dita kur do të nxirret haku i tyre, i gjithë atdhetarëve shqiptarë dhe Kosova do të fitojë lirinë që është derdhur dhe po derdhej gjak për të. Edhe atje, për shkak të veprimtarisë patriotike në mesin e mërgimtarëve, Remziun, shtriga e vjetër e Ballkanit, këmba këmbës e përcillte. Në një kurth të organizuar, kur ishte në kryerje të një detyre, ai burgoset në vjeshtën e vitit 1985. Nga UDB-ja e Beogradit në kufirin Italo-slloven, Remziu arrestohet dhe dënohet me 6 vjet burg të rëndë. Përkundër vuajtjeve nëpër burgjet famëkeqe, si të Gospiqit , Staragradishës e Lepogllavës, Remziu nuk u dorëzua, përkundrazi duke u forcuar edhe më tepër. Pas daljes nga burgu, Remziu nuk e ndërroi mendjen, bindjet politike dhe veprimtarinë patriotike, duke vazhduar edhe më me ngulm ndonëse Serbia e burgosi për herë të dytë në fillim të viteve ’90 dhe e dënoi me 3 vjet e gjysmë burg. Në mungesë të fakteve, Remziu lirohet nga burgu, megjithatë përpjekjet për burgosjen e tij ishin të vazhdueshme, sidomos pas lëvizjeve në prag të fillimit të luftës në Kosovë. Duke parë rrethanat e krijuara, Remziu kaloi në ilegalitet, ndërsa në qershor të vitit 1998 ai iu bashkëngjit ushtarëve të UÇK-së që tashmë ishin mbushur malet e Vërrinit dhe rrethit të Prizrenit. Ai vihet në krye të luftëtarëve të UÇK-së dhe merr nofkën luftarake komandant ‘Petrit Kodra’. Për një kohë të shkurtë emërohet komandant i SHL të UÇK-së për rajonin e Prizrenit. Si komandant i SHL të UÇK-së, emri i Remziut tmerroi pushtuesit serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Pas kryerjes së detyrës të komandantit siç im ka hije një atdhetari, më 15 gusht të vitit 1998, Remzi Ademaj, për të mbrojtur nderin e atdheut, heroikisht bie në afërsi të fshatit Nashec. Komandant ‘Petriti’, deri në rënien heroike të tij, udhëhoqi 600 ushtarë të UÇK-së. Lajmi për vrasjen në pusi të Remzi Ademajt mori dhenë, megjithatë, ushtarët e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tij nuk u gjunjëzuan para armikut. Ata vazhduan luftën deri në fund të çlirimit të trojeve tona nga pushtuesi serb, ndërsa Remzi Ademaj, komandant ‘Petriti’ me nderime të larta ushtarake u varros më 16 gusht të vitit 1998 në varrezat e fshatit Malësi e Vërrinit (ish Lybeqevë) , ndërkaq pas luftës rivarroset në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Kështu, veprimtaria e tij patriotike, Remzi Ademajn e bën një personalitet të veçantë, i formuar dhe i kompletuar me të gjitha virtytet njerëzore, burrërore, intelektuale dhe atdhetare për t’u renditur në krye të çështjes më madhore të çlirimit të Kosovës dhe për të rënë në altarin e lirisë nën uniformën dhe detyrën e komandantit të UÇK-së. Ai pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe pesë fëmijë.

*Shkrimi vazhdon në www.metaforapoetike.de.vu
Me këto tema:
Diaspora
Burgu
Kthimi në vendlindje
Lufta e UÇK-së
Vizioni
Karakteri
Lapidari
Përkujtimi.


PISHTARI I LIRISË
Më 30 gusht të vitit 1961, në fshatin buzë Kryekodrës (Cylenit), tek rriten shqiponjat, në Lezin heroik të Vërrinit të komunës së Prizrenit, u lind Xhevat Ahmet Berisha. Rrjedhën e kishte nga një familje e emancipuar, duke e pasur parasysh se stërgjyshi, por edhe gjyshi kishin qenë hoxhë në fshatin e tyre dhe në fshatrat tjerë të Vërrinit, nga një familje bujare dhe me traditë patriotike e atdhetare. Shkollën fillore, katër klasë i mbaroi në fshatin e lindjes, mandej vazhdoi në fshatin Malësi të Vërrinit (ish-Lybeqevë). Më tej vazhdoi në shkollën fillore „Mustafa Bakiu“ në Prizren, duke përvetësuar njohuri gati pothuaj sa një i moshuar. Shkollën e mesme dhe gjimnazin po ashtu i kreu në Prizren. Ndërkaq, shkollën e lartë, degën e mësimit klasor e përfundoi në Sh.L.P. „Xhevdet Doda“ të Prizrenit. Disa vite ishte mësues në fshatin Arbëri (ish-Leskovec), ndërsa punën e mësuesisë më vonë e vazhdoi në shkollën fillore „Mic Sokoli“ të fshatit Malësi të Vërrinit (ish Lybeqevë). I rritur dhe i edukuar në familje e në rreth me traditë atdhetare, si i ri, që në bankat e shkollës së mesme ai u përkushtua në shërbim të çështjes kombëtare, duke u lidhur me çarqe patriotike e ilegale të atëhershme siç ishte lëvizja popullore e Kosovës. Në vitin 1989 ai u kyç në rrjetin e frontit popullor, ku dha një kontribut të çmueshëm në parapërgatitjen e rinisë së Tusuz-it dhe asaj të Vërrinit për sfidat e së ardhmes që do t'u sjellë koha. Xhevat Berisha, u angazhua edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve, në Prizren dhe Vërri, ku së bashku me profesorin e nderuar Bajram Kurti, dhanë një kontribut shumë të çmueshëm për pajtimin e gjaqeve në këto anë. Një kohë ishte edhe kryetar i Forumit Demokratik të Rinisë, ndërsa që nga shtatori i vitit 1993, u angazhua si kryetar i nëndegës së LDK-së në lagjen e "Trimave" (ish- "Tusuz")- lagje e cila tashmë është e njohur për kontributin e dhënë gjatë luftës. Veprimtaria e tij dhe autoriteti në lagje dhe më gjerë, ishte gjithmonë nën përcjelljen e syrit të policisë sekrete serbe - UDB-ës. Në vitin 1997, për shkak të ndërskamcave dhe eliminimeve të njerëzve me mendime të ndryshme politike, si brenda partiake, po ashtu të njerëzve të tjerë që mendonin ndryshe nga kjo parti, në shenjë proteste, Xhevat Berisha u tha haptazi kryesisë së degës së LDK-së në Prizren, të dalë nga kuvendi i mbajtur në „Pojatë“ (restorant në Landovicë të Prizrenit), se „nëndega e LDK-së, në Tusuz, që tash e tutje nuk ekziston“. Xhevati u angazhua edhe në KMDLNJ-së, në Prizren dhe dha një kontribut shumë të çmueshëm. Në vitin 1997, kur UÇK-ja kishte filluar të dalë haptazi, ai vihet në lëvizje së bashku me shokët: Salajdin Berisha, Zafir Berisha, Naser Berisha, Hajrim Çengaj, Selim Krasniqi, Elbasan Shoshaj, Xhemshit Krasniqin, Mursel Osmanaj etj, dhe fillojnë organizimin e celulës së UÇK-së për rajonin e Prizrenit. Për shkak të veprimtarisë së tij në këtë drejtim, ai së bashku me një pjesë të këtyre shokëve, më 28 shkurt të vitit 1998 burgoset nga policia serbe. Torturat në burgun e Prizrenit ndaj Xhevatit, kishin qenë nga më të rëndat dhe më të tmerrshmet, megjithatë Xhevati asjnëherë nuk u nënshtrua përpara UDB-ashëve, madje pa dhënë asnjë informacion. Kështu, pas tre muajsh vuajtjeje dhe torture, më 28 maj, Xhevati lirohet nga burgu meqë përpara xhelatëve serbë nuk dha asnjë provë. Ndonëse trup dragoi, torturat që qenë bërë kundër tij, e kishin dobësuar mjaft fizikisht, megjithatë morali dhe urrejtja për armikun ishte shtuar edhe më tepër. Pas daljes nga burgu, vetëm 7 ditë derisa e mori veten, në mbrëmjen e 5 qershorit 1998, takohet me Selajdin Berishën, dhe nga aty, nisen drejt maleve të Vërrinit, për t'ju bashkangjitur shokëve, me të cilët e bënë themelimin e shtabit lokal të UÇK-së për Prizren, me seli në Gjeq (ish- Jeshkovë). Aftësitë organizative, autoriteti në këto anë dhe talenti i tij, do të dëshmohen në rritjen e shpejtë të UÇK-së në Vërri, përkrahjen e saj nga masat e gjera popullore, e në veçanti nga rinia. Prandaj, për aftësitë dhe për kontributin e dhënë, në mbledhjen e katërt të celulës së UÇK-së, në Malësi të Vërrinit (ish-Lybeqevë), emërohet komandant për zbulim dhe kundërzbulim, dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i komandant Remzi Ademajt – Petritit. Tashmë UÇK-ja në këto anë ishte nën hierarkinë e plotë ushtarake, dhe ishte e shpallur zona e lirë e Vërrinit me 8 fshatrat e saj, që për pushtuesin serb ishte halë në sy. Kështu, më 16 korrik 1998, forcat serbe sulmuan këtë zonë dhe tentuan ta marrin nën kontroll. Por falë qëndresës së djemve të lirisë, armiku u kthye i mundur. Pra këtu u dëshmua qëndresa heroike e Xhevatit, e Salës, Naserit, Zafiri dhe e ushtarëve të tyre në pikën e Tusuz-it dhe atë te „Kulla e Hoqës“. Mbrëmjen e 15 gushtit 1998, Xhevat Berisha, së bashku me komandant Remzi Ademajn, Shukri Çunajn e Sami Sahitajn, derisa po ktheheshin nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, bien në një pritë të trefishtë të ngritur nga forcat serbe, në fshatin Nashec. Në këtë pritë, spikat trimëria e Xhevatit, i cili me kallashnikovin e tij gjuante pandërprerë në drejtim të armikut, për ta çarë pritën e ngritur. Me rafal automatiku, arrin ta shpërthejnë atë pritë. Në këto luftime bie heroikisht komandanti i Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, Remzi Ademaj – Petriti, ndërsa u plagosën edhe dy shokët tjerë Shukri Çuaj dhe Sami Sahitaj. Rënien e Remziut, Xhevati e përjetoi shumë rëndë. Pikëllimi i tij ishte tepër i madh, sepse Remziun e kishte pasur tepër të afërt rreth idealit që herët. Prandaj, humbja e shokut, bashkëluftëtarit dhe komandantit, e pikëlloi shumë, sa që është shumë e vështirë të përshkruhet dhembja e tij gjatë atyre ditëve. Okupatori serb, me çdo kusht synonte që ta thyente zonën e lirë të Vërrinit. Në kuadër të kësaj strategjie të tyre, ata ditën e fundit të gushtit kishin filluar përforcimet e tyre nga ana e prapme e Kryekodrës. Duke i hetuar këto përforcime, Xhevat Berisha, komandant i ZKZ-së dhe Salajdin Berisha, komandant i policisë ushtarake, marrin detyrat për t'u vendosur në pikat e Lezit, prej nga rrezikohej më së tepërmi zona e lirë e Vërrinit. Mëngjesi i 1 shtatorit 1998, agoi përplot krisma dhe gjëmime të granatave serbe mbi pozicionet e UÇK-së dhe mbi këta tetë fshatra të Vërrinit. Pika e Lezit, rrezikohej më së shumti, prandaj në këtë pikë tashmë ishin të vendosur djemtë më të mirë të Lezit, me në krye Xhevat Berishën dhe bacën e maleve, Selajdin Berishën, të cilët gjatë tërë asaj dite luftuan kundër hordhive çetnike serbe e mercenarëve ukrainas, rusë e rumunë të veshur me uniforma të UÇK-së. Në vendlindjen e tij, në Lezin legjendar, që po e shkruante historinë e vet të lavdishme, me gjakun e bijve të vet më të mirë, në kodrat ku e kishte kaluar fëmijërinë e vet, e rritur shtatin, Xhevat Berisha, bie heroikisht në altarin e shenjtë për lirinë e Kosovës. Bashkë me të, ranë heroikisht edhe Selajdin Berisha, Shefqet Berisha, Hasim Berisha, Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Naip Berisha, Shahadin Berisha, Nehat Berisha dhe Ibrahim Osmani e më vonë edhe dy pleq, Izair Berisha dhe Asllan Berisha. Edhe pse shtabi lokal i UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, pas 15 gushtit të 1998-ës, Brigada 125 e Zonës Operative të Pashtrikut dhe zona e lirë e Vërrinit u thye, dhe Vërrinit i ranë djemtë më të mirë në altarin e lirisë, bashkëluftëtarët e Xhevatit vazhduan luftën edhe më tutje në këto anë, nën udhëheqjen e Zafir Berishës dhe Samidin Xhezairit, të cilët luftuan deri në shporrjen përfundimtare të armikut serb nga këto troje. Xhevat Berisha, përveç detyrës së mësuesit, që e kreu shumë me përkushtim, dhe rrugës atdhetare që e ndoqi deri në flijim, herë pas here kur gjente kohë, është marrë edhe me shkrime letrare. Prandaj, shkrimet e tij të lëna në dorëshkrim, të cilat ia paskësh ruajtur me kujdes kolegu i punës, mësuesi Naim Çejku, u botuan pas vdekjes, në librin me poezi „Pishtari i lirisë“. Jeta dhe vepra e Xhevatit, deri në flijim, shëmbëlltyra dhe militantizmi i tij, do të jenë përherë burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.


SELAJDIN BERISHA

Në kohën kur e burgosën Xhevat Berishën, një pjesë e shokëve u larguan për në Shqipëri me qëllim të mobilizimit për kthim, ndërsa Selajdin Berisha i shoqëruar nga Isuf Berisha largohet nga lagjja ku banonte në Prizren dhe kthehet në vendlindjen e tij në Lez, apo thënë shkurt doli maleve ku e thërriste kushtrimi i luftës për liri, sepse qëndrimi në qytet e rrezikonte atë. Jeta dhe vepra e këtij patrioti, do një përkushtim të veçantë, por historia e ilegalitetit dhe e veprimit në shërbim të çështjes kombëtare, janë një histori e pandashme me atë të Xhevatit, sepse dalja e tij maleve në luftë për liri ato ditë kur u burgos Xhevati, do ta nxjerrë në dritë lidhjen e veprimtarisë së tyre të përbashkët që prej vitesh, duke qenë tepër sekret në lidhje dhe veprime në shërbim të atdheut. Selajdin Berisha i lindur në Lez më 6.2.1953, është një figurë qendrore dhe shumë e rëndësishme e shtabit lokal të UÇK-së në regjionin e Prizrenit me seli në Vërri. Burgosja e Xhevatit më 28 shkurt 1998, ishte goditje e rëndë për njerëzit e celulës së parë por edhe për vetë Selajdin Berishën, i cili duke i parë zhvillimet e situatës në Kosovë dhe në Prizren, vendosi të kthehet në fshatin e lindjes për ta vazhduar organizimin. I vetëdijshëm se Kosova tani më po hynte në luftë kudër okupatorit serb, Tribuni i maleve hodhi armët krahut dhe u nis rrugës së lirisë. Vërrini ishte streha, foleja ku gjithmonë e ruante ngrohtësinë e atdhetarizmit shqiptar që do të dëshmohet edhe këtë herë. Dyert i kishte kudo të hapura, i njohur për burrëri që nga të parët e tij, familja, vëllezërit, por më tepër edhe si sportist me traditë familjare, dhe figurë autoritare në Vërri, ai ishte shumë i mirëpritur. Atje kishte rininë, kishte pushkët e lirisë që do të bashkëngjiten me kushtrimin e parë, atë rini që e kishte kalitur prej vitesh nëpër organizime sportive në sportin e mundjes, traditë e këtyre anëve. Mbi të gjitha, respekti që ia bënte popullata e kësaj ane, rinia, janë të papërshkrueshme. Sala, tashmë kishte arritur në Lez, në mesin e bashkëvendësve të tij duke filluar organizimin e të rinjve të fshatit rreth vetes, në luftë për liri. Kthimi i anëtarëve tjerë të celulës nga Shqipëria në Kosovë, fillimisht në Billushë (Kushtrim) dhe në Gurë të Kallugjerit mbi Jeshkovë (Gjeq), do t'i përshpejtojë lidhjet e organizimit të njësitit të parë i cili do të merret me organizimin e UÇK-së në vazhdim. Nga ky grup vendoset që dy nga anëtarët të udhëtojnë për në Lez, për t'u takuar me Selajdin Berishën. Detyrën për t'u takuar e merr Zafir Berisha i shoqëruar nga Xhemshit Krasniqi dhe udhëtojnë për në Lez. Atje pra takohen me Selajdin Berishën, i cili sipas dëshmisë së Zafirit, armatimin për vete dhe për disa shokë ai e kishte siguruar. Do të kujtojmë këtu një moment shumë prekës të bacës së maleve, kur i drejtohet Zafir Berishës gjatë takimit, edhe pse nuk ishin njohur më parë: "Ende paska djem Kosova që i dalin zot, dhe emocionet e tij për ato momente ndoshta nuk do të mund t'i
përshkruanim me pendë. Ishte pra ky një takim, që do ta gëzojë pa masë, tribunin e popullit, se dëshira për ta pasur një ushtri që do t'i dalë Serbisë përballë, po afrohej, dhe se, çdo orë e çast radhët e asaj ushtrie po shtoheshin. I flakët në rrugën e nisur, rrugën drejtë lirisë që e kishte ndrydhur dhe ruajtur për shumë vite në shpirtin e tij atdhetar, sypatrembur në ideal, vazhdoi punën me shokët në organizimin e celulës, deri me daljen e Xhevatit nga burgu më 28 maj 1998, dhe pas 7 ditë pushimi të Xhevatit i cili ishte i lodhur dhe i dërmuar nga torturat që ishin bërë në burg, do të takohen përsëri në mbrëmjen e 5 qershorit 1998, në shtëpinë e Nazim Berishës, dhe prej aty të shoqëruar edhe nga Isa Berisha, rruga e tyre e ardhshme ishte armët krahut, malet dhe rruga e lirisë. Pas këtijë takimi me Xhevatin, aktivitetin Selajdin Berisha e intensifikoi edhe më tepër në organizimin dhe avancimin e punëve në zonën e Vërrinit. Ky aktivitet i tij, do të rritet edhe më tepër kur Selajdinit do t'i caktohet edhe detyra e komandantit të policisë ushtarake pranë shtabit lokal të UÇ-së për Prizren me seli në Vërri, ku ai do të japë kontribut të lartë në krijimin e rregullit dhe rendit ushtarak brenda ushtarëve të UÇK-së dhe brenda zonës së Vërrinit. Ai qe dalluar edhe në aksione jashtë zonës, e sidomos nga ato në vetë qytetin e Prizrenit, të cilat i kryente me përpikëri dhe me shumë sukses. Selajdin Berisha, shumë herë së bashku me ushtarët e tij kishte udhëtuar edhe vetë në Shqipëri, për të sjellë armatim dhe mjete tjera për nevojat e ushtrisë dhe të luftës. Nata e 31 gushtit, e 1 shtatorit 1998, atë e gjeti në fshatin e tij të lindjes, në Lez. Me luftën dhe trimërinë e treguar, Selajdin Berisha, është kryetrimi i luftës së lavdishme të UÇK-së. Është legjendë e luftës së Vërrinit, i pathyeshëm deri në rënie. Edhe nga ushtarët e tij, por edhe nga populli, shpesh është quajtur; „Adem Jashari i Vërrinit“. Ndërkaq ne do të citojmë një fjali të mr. Enver Batiut (Komandant për Moral, pranë Shtabit Lokal të UÇK-së në Vërri), kur tregon se ushtarët e tij gjithmonë i quanin: „Djemtë e Salës“. Kjo pra tregon se ai ishte shumë i nderuar edhe në mesin e ushtarëve dhe të udhëheqjes ushtarake. Aktiviteti i Selajdin Berishës gjatë luftës është i pamundshëm të përmblidhet në këto pak fjalë. Veprimtaria e tij kërkon përkushtim dhe studim të veçantë.

(Nga Libri: Xhevat Berisha - Legjenda e Vërrinit)
G.Ajgeraj


Rami Berisha

TË FALA NGA MËMËDHEU

Këtu tokën gjurmët i ke
atje kokën me tërë trupin je
këtu e ke mikun
atje (s)e ruan miqësinë

mungesat në mes
e gjykojnë miqësinë
të pres
të pres
të vdes


KORRESPONDENCË

(letër nga larg...)

Të përshëndes o mik
tërë flakë e zjarr

Drini
e Vërrini
më mundojnë
më mungojnë

Edhe sytë m'i lodh malli
larg atdheut
(... nga atdheu)

Të përshëndesin o mik
tërë flakë në zjarr

Edhe Vërrini
edhe Drini
Jeni bërë shumë
malli për ju po e lodh edhe atdheun

Berat Batiu
KULLA

Gjyshi të ngriti madhështore
lëndë solli nga zemra e Sharrit
e gurë nga Rrasa e Shqiponjave

Furtunat t'i rrahën muret
nuk tundesh nga vendi
derë e hapur për miq

Nga shkallët e tua trimëreshë
gjyshi zbriti me çelesh
priti bacë Isanë e shumë trima

Stuhitë vinin e kalonin në kohë

Koha të nderon kullë atërore
oxhaku tymon prore
dera gjëmon nga vitet e rënda
zemrën ma gjallëron lashtësia jote

Kullë
nuk plakesh rinohesh
shumë sofra shtrove
nëpër kohë




Qazim Thaçi

AMANETIN NË VEND
TA DËRGUAM
(Dëshmorit Hashim Gashi)

Qielli blu dhe nata skëterrë
Ishte leja e njoftimit biblik
Kur trupin dhe lavdinë tënde

N'prrua t'Zenel Agës ta lamë
Por dhembjen me vete e morëm në shpirt

Nata skëterrë e dhembja sa mali
S'treteshi në alkiminë e gjithë fshatit
Lavdi-ndriste rrugën se
Amanetin në vend vetë e çove

Kur nëpër prozhme emri të përmendej
Vetëtima si fanar rruge shërbente
Amanetin në vend ta dërgojmë
Përderisa vargje thurim për ty

Si ninullë e parë djepi
Kujtimi ruhet ndër brezni
Askush më shumë mall s'ka
Se unë miku yt dhe Faiku

Leja e njoftimit tënd ishte biblike
Nëpër rrugëtimin drejt lirisë
Por emri dhe vepra jote i ngjan
Më shumë zemrës dhe shpirtit stoik
Që është ngjitur tashmë në zenit.


Sabri Bresa

MESAZHI

Ata po vijnë
me sy të zgurdulluar
si tunele të gjata
me duar të shtrënguara
përpara si sfurk
zhbirues siluetash
të detit në lëngatë...
E shpurët amanetin?
E sendërtuat testamentin?
Dhe në gjoksin tim
gjer në fund
mllefshë e ngulitën
flamurin gjysmështize...
Mallkimi rënkoi
mbi tokën e çarë urie
Kafkat e tyre shoshë
rrugë stuhish
kohësh heretike...
Porosi na lanë...
Ne si hije lugetërish
do t'u vemi pas
nuk do t'u lëmë të qetë
gjersa Diellin
ta shkulni nga retë...
Ata shkuan
me sy të zbrazët
si kalorës të mundur.

Ilam BERISHA
DITARI I LUFTËTARIT
Në udhën që shpie për në katund, prej nga xhandarët serbë herëve të tjera me lehtësi hynin dhe shfrynin egërsinë e tyre ndaj njerëzve të pafajshëm, tashmë nuk mund të kalojnë. Luftëtarët e UÇK-së, me pushkë në dorë, të gatshëm për mbrojtjen e atdheut, kanë vendosur të luftojnë kundër armikut, derisa të përzihet përfundimisht nga atdheu ynë.
- Në pikën numër dy, siç e quante Komandanti, bënin rojë tre ushtarë. Ditën edhe natën, pa lëshuar pushkën nga dora përcillnin lëvizjet e armikut hyrje-daljeve të qytetit, që dukej si në pëllëmbë të dorës nga aty. Lëvizjet e artilerisë së armikut, nëpër qytet qenë shtuar. Edhe në kazermën ku strehoheshin përskaj qytetit, vëreheshin shumë lëvizje tankesh e blindash.
Aty-këtu, në katund dëgjohen lehje qensh, sikur sinjalizojnë hyrje-daljet e atyre që nuk janë të këtyre anëve. Edhe hëna bashkë me ushtarët, kudo shndrijnë natyrën njomëzake të pranverës që sapo ka filluar. Zogjtë me zërin melankolik të tyre, të trazuar nga krismat e pushkëve gjatë ditës, qetësinë e natës sikur e kanë shndërruar në hedhje vallesh, dhe i gëzojnë asaj. Kështu, pranë shkurreve në mbrojtje të pozicioneve, kaloi një natë e përcjellë nga zhurmat e mëdha kudo nëpër rrugët e kalldrëmta të qytetit.
Rrezet e mëngjesit të ditës së re, kushedi ç'do të sjellin?! Rreth orës tetë, erdhi Komandanti i cili urdhëroi për ecuritë e mëtutjeshme nëpër pozicione. Ndërsa, korrieri solli ca bukë e ujë. Pas pak, disa djelmosha të rinj ngjiten përpjetë rrugës që shpie për në katund, që tashmë është vatra e ushtrisë çlirimtare.
Ishin vullnetarët që vinin nga lagjet e qytetit, të cilët kishin vendosur t'iu bashkoheshin ushtarëve të UÇK-së. Ata u legjitimuan dhe njëri nga ushtarët që bënte rojë, i shoqëroi deri në kazermë ku ishte Komandanti.
- Mirëdita Komandat! - përshëndeti ushtari. - Kam sjellë ca vullnetarë, - vazhdoi ai.
- Mirëdita zoti Komandant! - Përshëndetën ushtarët e rinj.
- Mirëdita! - tha Komandanti.
- Dëshirojmë të jemi ushtarë edhe ne, - thanë
vullnetarët.
- Mirë se keni ardhur! – Uroi ai, shumë i gëzuar.
- Por nuk kemi as armë e as rroba, - rrudhën krahët ushtarët e rinj.
Do t'i sigurojmë të gjitha, - tha Komandanti, - edhe armët, edhe rrobat. Vullneti dhe trimëria që na duhen, këtë e gjejmë tek ju, ndërsa për të tjerat, do t'ia bëjmë hallin.
- Faleminderit Komandat! - u dëgjua zëri i ushtarëve.
- Jepuni armë, edhe rroba, - urdhëroi Komandanti, në drejtim të ushtarit që e ruante depon e armatimit.
- Meqë në pikat tjera veç është plotësuar forca nga ushtarë të mjaftueshëm, së bashku me këta ushtarë që tashmë kanë përvojë, bashkohuni edhe ju, atje në pikën numër dy, – urdhëroi Komandanti.
Ushtarët e rinj, me dëshirën më të madhe veshën uniformën e UÇK-së, me emblemën e shqiponjës në kokë. Ata u bashkuan me shokët e tyre, duke forcuar edhe më tepër forcën çlirimtare të atdheut. Pika numër dy u forcua, ndërkaq, armiku s'mundi më të depërtojë në katund.

VËRRI, 1998


MIQTË E MI!
Po bashkudhëtojmë me fjalën, me metaforën, bashkë me ju nëpër këtë shteg, përplot pengesa. Po vjen numri i tretë i metaforës, duke bartur me vete plotë dashuri, fjalë, shpresë... dritë. Përmes metaforës mundohemi t'u sjellim pak çlodhje shpirtërore nëpër ditët tuaja të mundimshme e të lodhshme. Metafora do të vijë tek ju edhe për shumë mote. Ajo gjithmonë do të jetë vatër e dritës e e rrezes, prej nga do të shkëlqejë magjia e fjalës si nga shkrimtarët e poetët e vjetër e deri tek ata me të rinj që herë pas here do t'i promovojmë. Ajo do të jetë përherë e hapur, arenë e fjalës së lirë ku nuk do ta ketë kurrë kundërshtarin (cenzurën) përballë. Pra, me metaforën, mendimi dhe fjala, flatrojnë të lirë për t'u sjellë ngrohtësi lirie, në zemrat tuaja aq të etura. Unë dua t'i falënderoj të gjithë ata që na kanë përshëndetur dhe që kanë shkruar për metaforën. Ndonëse përshëndetjet janë të shumta si përmes internetit, letrave, telefonave etj, unë do t'i veçoja disa miq për të sjell tek ta urimet e metaforës. Do të veçoja këtu, urimet e Iljaz Prokshit, shkrimtar, Flori Bruqit, publicist e shkrimtar (Prishtinë), Engjëll Shehut, poet (Belgjikë), Faridin Tafallarit, publicist(Gjermani), Çerkin Bytyçi, poet (Gjermani), Gjelbrim Hoxha, poet (Gjermani), Mardena Kelmendi, poeteshë (Itali), Brahim Avdyli, poet (Zvicër), Isuf Sherifi, poet (Zvicër), Blerim Shabani, gazetar (Zvicër), Kudret Isai, publicist, (Shqipëri-Zvicër), Florim Islamaj, Nexhat Çoçaj, shkrimtar (Kosovë) etj. Pra për këtë pak kohë metafora ka hapur horizonte të reja brenda së cilës shkëlqimi i fjalës së saj ka pushtuar shumë hapësira. Ne do t'u mbetemi borxh edhe shumë letrave dhe miqve, por një urti thotë: "E ardhmja është përpara nesh", dhe ne do të jemi së bashku. Të mos harroj, t'i falënderoj nga zemra, dy miqtë e mi të cilëve u mbeta borxh gjithashtu t'i përshëndes, në numrin 2 të metaforës, z. Mujë Berisha, prof (drejtor në Institutin e Arkivit të Historisë në Prizren), për fjalët e tija të ngrohta dhe shumë domethënëse për metaforën dhe Dr.Afrim Ponikun (mjek nga Prizreni), mik i metaforës. Një punë të palodhshme dhe një respekt të veçantë për mikun tim, lektorin prof. Ilam Berisha, i cili me një vullnet të pashoq, na bën të pandalshëm në këtë bashkudhëtim me metaforën. Miq të metaforës, ne ju mirëpresim në bashkëpunim, duke ju uruar suksese të gjithmbarshme në punë e në jetë. Ndërsa metafora ju mirëpret në bashkëpunim. Ajo çdo tre muaj do të vijë tek ju për t'u sjellë pakë dritë nga magjia e fjalës së shkruar. Për shumë mote!
Gëzim Ajgeraj, Zvicër, 15 prill 2005

E nderuar redaksi e revistës "Metafora poetike"
Pak kohë më parë më ra në dorë numri i parë dhe i dytë i revistës tuaj. Me kënaqësi e lexova dhe më pëlqyen shumë materialet e shkruara që i trajtonte kjo revistë. Tash ka më shumë reviste e gazeta se që kishte në vitet e gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta. Po them mjerisht, se në atë kohë e vetmja gazetë që vinte nga Kosova, ishte "Rilindja" (e kam fjalën për ne mërgimtarët e asaj kohe), edhe ajo ishte e pakët dhe rrallë mund ta gjeje.. Kurse me revista e gazeta në gjuhë të huaja ishin të mbushura tendat e kioskave. Prandaj, kjo më gëzon që edhe ne shqiptarët të kemi sa më shumë revista e gazeta, të kemi mjaft nga shtypi ynë, sepse secila e ka vendin dhe peshën e vet. Pra, edhe kjo revistë me vlerat që do t'u japë lexuesve, do ta zërë vendin e merituar. Dua ta përgëzoj dhe të uroj redaksinë për punën dhe nxjerrjen në dritë të revistës, duke dëshiruar të ketë sa më shumë suksese. Në veçanti përshëndes redaktorin, shkrimtarin dhe poetin e palodhur, shokun tim të nderuar Gëzim Ajgeraj, i cili ka shkruar dhe ka botuar edhe shumë libra me vlerë. Ka bërë dhe po bënë punë të mëdha për të mirën e kombit e të atdheut, si dikur që bënin burrat e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nëpër vendet e ndryshme të botës deri në epokën tonë, siç bënë të mëdhenjtë,i Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka (dëshmorë të kombit dhe ish- shokë të mi të ngushtë) e tjerë të cilët me veprimtaritë e tyre atdhetare, nuk lanë të përgjumosej mërgata. Revistës rrugë të mbarë dhe të arrijë gjithandej ku flitet e lexohet shqip.
Me shumë respekt, Faridin Tafallari, Gjermani, 20 prill 2005

Çerkin Bytyçi

PAVDEKËSI

(Nazim Budurit, të rënë në Betejën e Koshares)
gjysh e babagjysh
i bëre
të pavdekshëm
në përjetësinë
tënde
në faqet e jetës
që s`shuhet
që shihet
që shkruhet

nga gjaku
në damar
janë zgjuar
edhe stërgjyshërit
ideali i tyre
ideali yt
që nuk u shua kurrë
përjetësisë

As krismat e kobureve
Të stërvjetruara
Pas dushmanit

Legjenda jote
Në altarin e atdheut
U shkrua me gjak
Pavdekësisë

PËRKULJE

të përkulem
ty o njeri
për fjalën e vogël
e punën kështjellë

për ty
rrahin kambanat
e zemrës
ligjëron legjenda

as Zoti s`të harron
shkëlqimin tënd.

"Arma ime më e fuqishme është penda. Me të bëjë përpjekje për të mirën e atdheut dhe kombit tim". g.ajgeraj


WEB-FAQET DHE LETËRSIA

Zhvillimet në teknologjinë kompjuterike, në veçanti në atë të internetit, hapin mundësi për ecjen përpara edhe të letërsisë. Kjo për faktin se shtrohet mënyra e re e plasimit të librave përpara lexuesit, me një metodë shumë më të shpejtë dhe moderne. Kjo mundësi do t'i shërbente shumë më tepër lexuesit, për të qenë sa më afër shkrimtarit dhe veprës së tij, njëkohësisht për të pasur mundësi të komunikojë edhe me krijuesin. Ndërsa, edhe krijuesi ka mundësinë që veprën e vet ta ofrojë përpara lexuesit, duke qenë në kontakte të përhershme me auditorin. Në rastin konkret, do të përfitonte shumë më tepër lexuesi. Pra, publikimi i librave në web-faqe nuk do të thotë se e ka zëvendësuar librin, kjo as nuk do të ndodhë kurrë, për shumë arsye: Web-faqet nuk e kanë jetëgjatësinë e librit në letër, se nuk mund të lexohen gjithkund, fjala vjen: në tren, autobus, në natyrë etj, pos pranë kompjuterit. Ka edhe arsye tjera që nuk mund ta zëvendësojë formën e publikuar të librit në letër, por se, krijohet një mundësi dhe një formë moderne e të lexuarit të librit. Kjo formë është shumë më e shpejtë dhe mbulon çdo skaj të globit, që është një përparësi në krahasim me librin. Shoqëritë moderne dhe në zhvillim e preferojnë shumë këtë metodë. Arsyeja se nuk duan të jenë të ngarkuar brenda shtëpisë me një bibliotekë të madhe, kanë mundësi leximi në vende pune, byro etj, pastaj edhe forma e ardhjes deri tek leximi i librit është shumë më shpejtë dhe efikase. Megjithatë siç e thamë më lart, librin e shkruar mbi letër, nuk mundë ta zëvendësojnë asnjëherë.
2004

DEBATI DHE KRITIKA

Të debatosh, d.m.th. të flasësh për një çështje të caktuar. Për të debatuar sot, duhet të kesh guxim. (Të marrim shembull debatin në letërsi). E themi këtë, ngase përvoja e deritashme tek ne, për debate letrare mungon. Ashtu siç mungon toleranca për debat letrar, qëllimet nga individë për të debatuar rreth letërsisë shpesh kanë përfunduar në kritika ndërmjet debatuesve. Këtu duhet të bëhet mirë dallimi në mes të fjalës debat dhe asaj kritikë. Kur këto dy nocione shpesh janë të ngatërruara nga ana e atyre që duan të bëjnë debat, kurrë nuk mund të ketë suksese. Pra, duhet dalluar mirë dhe me shumë kujdes këto dy nocione, për të qenë në vijën e njërës apo tjetrës çështje. Duhet të jenë të dallueshme ato për nga elementet që e ndërtojnë njërën apo tjetrën. Kësaj qasje duhet t'i hyhet me një shëndoshmëri intelektuale dhe njerëzore. Në debat duhet të hyhet pa qëllime djallëzore, por gjithmonë me qëllimin e avancimit kah pozitivja të çështjes për të cilën debatohet. Është shumë i rëndësishëm fakti, se kush e ngrit debatin për një çështje, cilat janë njohuritë e tij, diapazoni intelektual dhe sa është i aftë ai individ për t'i respektuar kriteret e një debati. Mbetemi gjithmonë tek letërsia, megjithëse debatet mund të ngrihen dhe në shumë fusha tjera. Debatet më të suksesshme mund të jenë atëherë kur bisedohet për një çështje të përgjithshme, ndërsa kur kalon në çështje individuale, fjala vjen në letërsi, ka rrezik të ndërrojë drejtim dhe të marrë përmasat e kritikës. Në këtë pikë pra debatuesi do ta vërë veten në sprovë, se sa është në gjendje t'i qëndrojë besnik vijës së debatit, apo do të bjerë edhe në grackën e kritikës. Ndoshta me këto ndarje të këtyre dy çështjeve, nuk do të mund t'i dilej në fund çështjes së debatimit, mirëpo janë të hapura rrugët dhe metodat, nëse fjala vjen të debatohet për letërsinë dhe krijuesit. Me këtë, jo pse duam ta kufizojmë rolin e debatuesit, por dua të vëmë kujdes për ndërtimin e një themeli në zanafillën e debateve, që me kohën do të krijohej një kulturë debatuese. Për të debatuar, nuk mund të jetë i përshtatshëm çdo individ, në veçanti ata që hyjnë në këto çështje me qëllime djallëzore, apo pa ndonjë shëndoshmëri e kulturë intelektuale e njerëzore. Ky element është shumë i rëndësishëm, sepse përvojat kanë treguar se në provat për fillimin e debateve që në fillim janë reflektuar këto elemente nga vetë debatuesit dhe si të tilla, debatet e vetëquajtura nuk kanë sjellë asgjë, pos që kanë kaluar në shantazhe, kritika, grindje nëpër mediume e mjete tjera të informimit etj. Pra, është treguar një papjekuri për të debatuar duke krijuar një imazh të keq, se ne nuk jemi ende në fazën për të hapur debate, por për të ngritur kritika që nuk çojnë asnjë hap përpara. Një debat që shpejt mund të marrë kahe tjetër dhe kjo ndodh shpesh kur edhe nga ana e atyre që debatojnë nuk respektohen kufijtë e një debati, por kalohet në kritikë. Dhe, në këtë rast, sado superior dhe inteligjent e objektiv të jetë njeriu, ai nuk mund të çlirohet kurrë nga prirjet paragjykuese të pikëpamjeve, zakoneve, simpative dhe antipative të tija (Wrightson). Kjo na jep të kuptojmë se për të filluar një debat duhet shëndoshmëri e lartë intelektuale dhe njerëzore, ndryshe lind kritika. Kritika është një armë e rrezikshme që duhet të përdoret me shumë rezervë dhe takt. Ndryshe ajo sjell reagimin e kundërt që ndoshta mund të jetë hakmarrës, edhe pse ajo ndonjëherë mund të jetë edhe objektive. Megjithatë, kritika nuk mund të jetë shumëherë e suksesshme, duke pasur parasysh elementet e njeriut që i thamë më lart. Për kritikën thuhet se: "Ajo nis rrugën e vet nga diskutimet e grave të ndyra të rrugëve, tek buzëqeshjet e djallëzuara të nëpunësve që shpërthejnë nga ashensorët e shtëpive të larta për t'u futur në një stacion hekurudhor nëntokësor" (Watson). Siç shihet, ajo mund të jetë më shumë e dëmshme sesa e dobishme. Është e dëmshme sepse ai që kritikohet nuk e përfill atë. Pra, kjo na kthen prapë tek debati i cili mund të ketë më shumë sukses se sa kritika që ngrihet nga dikush. Kjo vlen edhe për letrarët dhe letërsinë. Por ne mbetemi tek kritika. Ajo është e dëmshme sepse e largon përgjithmonë simpatinë që mund të ketë pasur subjekti i kritikuar. Aty nisin armiqësitë dhe ndarjet të cilat nuk çojnë askund. Krijojnë ndarje dhe rrezikojnë afrimin e intelektualëve me ç'rast rrezikohen edhe mundësitë për debate. Siç shihet, kritika drejtpërsëdrejti rrezikon debatin. Për të pasur sukses në këtë drejtim duhet të shmanget sa të jetë e mundur ajo. Ndryshe nuk do të kemi debate, nuk do të krijojmë kulturë debatuese, nuk do të kemi suksese dhe avancim përpara. Medoemos duhet t'i japim përgjigjen pyetjes që lind vetvetiu, pse është e dëmshme kritika. Ajo plagos njeriun në atë pikë që është më e shtrenjtë në ndjenjën për t'u dalluar. I kryqëzuam këto dy çështje, për t'i dalluar mirë ato, ngase siç duket, e dyta e ka penguar gjithmonë të parën, duke mos i ndarë ato herë me qëllim e herë pa të, dhe nuk ka mundur të bëhet shumë debat rreth problemeve, në veçanti ato në lëmin e letërsisë.
Gëzim AJGERAJ, 23. 10. 2004, Zvicër




VLERËSIMI,VLERËSUESIT E VLERËS DHE TË JOVLERËS

Vlerësimi kritik i një vepre, është shumë i rëndësishëm në letërsi, ngase këtu hapen apo mbyllen edhe portat e suksesit dhe mossuksesit të një krijuesi. Megjithatë, kjo në letrat tona shpeshherë nuk i ka qëndruar kohës. Kanë qenë shumë faktorë të jostabilitetit të zhvillimeve tek ne, të cilat kanë vënë në dyshim apo edhe kanë ngritur vlerën dhe jovlerën. Çështja që duam të trajtojmë, është krejt diçka tjetër.

Vlerësimi, vlerësuesit e vlerës dhe të jovlerës.

(Nga këndi kritik i çështjes)

Vlerësimi i një vepre letrare tek ne nga kritikët dhe "Kritikët" letrarë, sot për sot është brenda një kaosi jo edhe aq të përshtatshëm me kohën. Dyshimi ynë në këtë çështje përkon me shumë faktorë që po zhvillohen tek ne. Është shumë e vërtetë se letrat tona, në këtë kohë janë zhvilluar me bollëk, siç është zhvilluar edhe ngritja arsimore tek ne. Në këtë rast, kritika tek ne nuk ka mundur edhe t'i përballojë kësaj rrjedhe të prurjeve në letërsi, ndaj edhe nuk ka mundur ta mbulojë gjithë hapësirën e shkrimit dhe prurjeve në letrat tona. Janë hapur mundësi dhe rrugë të tjera, që të kemi vlerësime edhe vlerësues. Kësisoj, në këtë grupim, ka hyrë edhe një pjesë e vetë krijuesve, duke i vlerësuar apo mbi vlerësuar në vlera dhe në jovlera veprat e të tjerëve. Në këtë kaos vlerësimesh apo nënvlerësimesh, gati çdo herë ka munguar dialektika e vetëvlerësimit, fillimisht të veprës së vet, pa pasur të drejtë ta vlerësojë apo zhvlerësojë veprën e dikujt tjetër. Kështu, përzihemi në punën e kritikës, apo thënë më qartë, këtu na lindin kritikët dhe "kritikët". Përderisa shkrimi është çështje individuale e individit, pse krijuesit mundohen të jenë vlerësues të veprës së tjetrit?! Pse i përzihen kritikës, nëse ajo ekziston sot diku tek ne? Shembuj për ta ilustruar këtë konstatim, sot në letrat tona kemi mjaft, ngase, letrarët tanë, tashmë jetojnë dhe krijojnë në disa shtete në Ballkan dhe një pjesë e tyre, të emigruar nëpër shumë vende të botës. Dhe, sherri fillon pikërisht këtu, ngase mungon një qendër e përbashkët dhe koordinuese që do t'i drejtonte disa çështje. Na vijnë krijues të ndryshëm nëpër shtete a vende të ndryshme duke u paraqitur kryemisionarë, prijës të këtij apo atij grupi letrarësh, me vlerësime apo zhvlerësime pa kurrfarë kriteri e kompetence. Të tillët, kompetencat i marrin në djallëzinë e prirjes skizofrene për t'u dalluar mbi të tjerët, me parimin: (duke vlerësuar apo zhvlerësuar krijimtarinë e këtij apo atij krijuesi), “vetë qëndron majave”. Kemi të tillë mjaft sot, në Tiranë, Prishtinë, Zvicër, Gjermani e gjetiu. Pikërisht këto vlerësime plot djallëzi, qofshin pozitive a negative, nuk çojnë askund, pos që tregon etjen për t'u dukur mbi të tjerët dhe mendimin centralist që ende e shoqëron njeriun tonë, i cili edhe sot e kësaj dite po i bart pasojat e një shkolle të ish sistemeve, madje edhe do t'i bartin ato. Dihet se krijimtaria është çështje individuale dhe kujtoj se çdo krijuesi do t'i bënte mirë të punonte shumë më shumë me krijimtarinë dhe veprën e vet. Le t'i mbetet kritikës së mirëfilltë vlerësimi i veprave letrare. Ndryshe, do t'i kemi dy grupe kritikësh: kritikët dhe "Kritikët". Le të mësohemi nga praktikat e letrarëve perëndimorë, ku askush nuk çan kokën për krijimtarinë e tjetrit (për ta vlerësuar apo zhvlerësuar). Në fund të fundit, kjo nuk është e drejtë e askujt, pos e lexuesit i cili e zgjedh vetë veprën që do ta lexojë.
Shtrohet çështja, sikur rilindësit, të merreshin me vlerësimin apo zhvlerësimin e veprës së njëri tjetrit, nuk do të ishin rilindës. Ata më tepër janë marrë me veprën e vet, dhe vlerësimin më të mirë ia ka dhënë koha. Sot kemi vlerësime, mbivlerësime dhe zhvlerësime, mjafton të hulumtojmë pakë mediave të shkruara dhe atyre elektronike, duke futur këtu edhe internetin. Shtrohet pyetja: A i plotësojmë ne kriteret e të vlerësuesit. Nga cili kënd e vlerësojmë një vepër?. Sa kemi krijuar ne? Sa e njohim krijimtarinë e të tjerëve? A na shoqërojnë neve elemente negative dhe pozitive (smira, urrejtja, sinqeriteti, simpatia, dashuria, apo edhe interesa tjera) që na shtyjnë në vlerësimin pozitiv apo negativ të një vepre? Pse i vlerësojmë apo i zhvlerësojmë vetëm të tjerët, kur përgjithësisht njeriut i mungon dialektika e vetëkritikës? Nëse sipas neve një vepër është vlerë a jovlerë, çfarë do të thotë një tjetër më i përgatitur, për krijimtarinë tonë? A ka kush të na kontestoj neve? Sa jemi në gjendje ta përcjellim krijimtarinë e tjetrit? Mos po nxitojmë në konstatime, kur dihet se krijimtaria e letrarit bashkë me kohën gjithnjë e më tepër shpalos vlera?
Do të vijmë te konstatime se, baza e vlerësimit i takon kritikës dhe ajo duhet të jetë profesionale dhe shumë e matur. Pak fjalë rreth fjalës vlerë dhe jovlerë: - Janë dy ekstreme që si të vetme nuk mundë t'i qëndrojnë realitetit letrarë. Nëse sipas neve diç është vlerë apo jovlerë, është shije dhe supozim individual, pavarësisht nga parimet tona. Tjetri do të mendojë ndryshe. Çka duam të themi? - Është shumë papjekuri nëse individualisht vlerësojmë apo përdorim fjalën vlerë dhe jovlerë dhe atë vlerësim e plasojmë në publik. Vlerën dhe jovlerën e vlerëson kritika dhe koha sa do t'i qëndrojë asaj. Ndërsa, krijimtaria letrare do të ishte shumë e vështirë të ndahej në vlerë dhe jovlerë, më drejtë do të ishte një kategorizim i saj, por nga një institucion i specializuar. Çdo tendencë individuale rreth vlerësimit të vlerës dhe jovlerës, ngjall dyshim, sot për sot tek ne.

Gëzim AJGERAJ, Zvicër, 15 janar 2005





Mushkonjat pickuese


Mos u brengos mik rrugës tënde të shenjtë! Vazhdo, ngjitu majave të pendës atje ku prehen zotat e ëndrrave të shenjta, mes dashurisë dhe shpresës për të ardhmen e bukur të njerëzve. Fjalëve të tua zbukurojnë lulëkuqet e atdheut. Kënga merr udhë lirshëm me pëllumbat e bardhë të dritës. Ti m'i ngjan qiririt. Dritë m'i bën errësirës që na verboi netëve tona. Atje ku prek kënga jote, rriten lisat, oshtirë merr mali, fusha gjelbëron, plagët shërohen melhemit të fjalës që jep shpresë. Atdheu lulëzon.
Majave të fjalës tënde, hedhin lule të mirët, i zbukurojnë ato me bukuri. Por rruga jote është e vështirë, ajo ka plotë pengesa. Fjala e mirë s'vlen asgjë, nëse nuk e paraqesin absolutistët, apo të mëdhenjtë, siç i quan populli. Në botë nuk ka asgjë absolute. Ajo është e ndërtuar nga relativja dhe gjithmonë atij boshti do të rrotullohet ajo.
Pa le të shpresojnë absolutistët e marrë.
Bota është e ndërtuar nga vlerat, por asnjëherë nuk është përsosur nga ato. Ajo rrotullohet rreth shpikësve të tyre. Ndërsa prapa tyre vërshojnë kritikët absolutistë, që e kërkojnë famën. Dhe, mirë është kur sulmojnë relativët. Fatkeqësia qëndron në absoluten. Është fat i mirë që në botë ka shumë pak absolutistë. Populli i quan mushkonja pickuese. Ato dalin natën, fshihen prapa territ, ndërsa me sqepin tyre sulmojnë nëpër dritën e hënës. Ato dalin nga plehrat që tërbojnë dhe pickojnë. Pabesisht fshihen vrimave nëpër boshllëkun e plehrave e presin natën tjetër. Janë dinake ato. Kanë mbaruar shkollën e plehrave. I ka dresuar nëna e tyre. Plot kurvëri janë. Shumohen natën e vdesin ditën. I zë gjaku që ua pi të mirëve, të urtëve. Populli i sulmon ato, ua shtyp kokën. E shihni pra, populli i sulmon ato. Ai ka sy, vesh, ka dritë. Drita i shqelmon ato ziliqare. Larg tyre ndërtohen gjërat e bukura. Ah sa larg zilisë tyre rrojnë vlerat. Ti mos u sikletos mik nga thumbat e sqepit të tyre. Arratisu majave, lartësive, ku nuk i përballojnë dot asaj klime, ato. Mbaje të ndezur kandilin e fjalës tënde, shmangu pickimit hakmarrës të tyre. Mos harxho fjalë për to, s'është në natyrën tënde. Edhe kur fjalën ta pickojnë, mos ngri dorë mbi to, ta përlyesh atë nga fëlliqësia e tyre. Ti je helmi i tyre.
Të shoh majave, kah s'i bëjnë ballë klimës së fjalës sate. Ato vdesin atje, është klima e fortë e fjalës së atdheut, shkëlqimi i saj, drita e fuqishme që i verbon dioptrinë e tyre. Je ngjitur lart, ah sa më gëzon ngjitja jote alpine, fjala jote më shëron me gjithë ato plagë në zemrën time. Ti je bërë shpresa e këngëve të mia të parënduara. Me ty merr vrull jeta.
Urtisë sate aspirojnë ta pinë gjakun, prandaj pickojnë rreth teje. Kërkojnë ta rrisin veten me gjakun tënd, pa e ditur se ai është vdekje për to.
Ti ecën thellësisë së botës sate, pa le të zhurmojnë ato.
Zilia e tyre ka prekur majat, pa kujtuar se turitë i kanë të ngulitur në pleh që i ka verbuar dioptrinë e syrit të tyre. I ka verbuar ajo, prandaj turren e sulen me turinjtë e tyre sqepzgjatur, tërbohen e s'dinë ku ta fusin më parë. Sjellja e tyre, rreth teje dikur, nevojë për afrim. Të adhurojnë ato, kanë nevojë, davariten rreth teje. Ah mik i dashur rreth gjakut tënd!
Të afrohen rreth teje, të lëmojnë dhe me sqep ta kërkojnë rrjedhën e gjakut, ta helmojnë atë që t'i japin tjetër rrjedhë.
Po ti je i fuqishëm, e meqë je larg tyre, s'ke faj pse janë aq të parëndësishme ato. Truvogëlsia e tyre, mendon se vetëm duke pirë gjakun tënd, do të zgjatet jeta e tyre.
Ato ndihen të injoruara nga ti edhe kur je i urtë dhe hesht, edhe kur fjala e jote s'dëgjohet aty.
Krenaria jote ndez në fshehtësi poshtërsinë e tyre për hakmarrje, prandaj i bëjnë lutje errësirës të të sulmojnë ty.
A nuk vë re se si e ndalin fluturimin?! S'u bëjnë krahët kur të shohin ty. E humbin fuqinë si maratonomaku i lodhur përpara cakut.
Po ti o mik, je shpresa e denjë e dritës, që e përhapë rrezatimi i pendës tënde, prandaj të urrejnë.
Do të ishin të lumtur të ta pinin gjakun. Ato do të të sillen gjithmonë vërdallë rreth teje.
Por fjala jote do t'i përdhosë gjithmonë për toke.
Ngjitu majave të fjalës, atje ku erërat bëhen edhe më të forta. Atje ku s' bëjnë ballë ato. Lëri përbuzjes, hakmarrjes së moteve, stinëve që s'u bëjnë ballë. Do të jenë të mundura nëpër kohë.
Mos u lodh kot për zukamën e tyre rreth fjalës sate, rreth teje. Mos e ndal hapin e fjalës tënde të lirë.
Ato do të mbeten plehrave.
Gëzim Ajgeraj, Zvicër, 22.9.2003

1 Comments:

Blogger waltermartin7536 said...

St0ck For Your Review - FCPG

Current Profile
Faceprint Global Solutions (FCPG)
Current Price $0.15

A U.S. based-company dedicated to the goal of
bringing effective security solutions to the marketplace.

With violent and white-collar terrorism on the rise,
companies are starving for innovative security solutions.


FCPG is set to bring hot new security solutions to
the industry, with currently over 40 governmental and
non-governmental contracts, being negotiated.


Please Review Exactly What this Company Does.

Why consider Faceprint Global Solutions (FCPG)?

Faceprint Global Solutions (FCPG) holds the exclusive
marketing rights from Keyvelop, to sell the world�s
leading encryption technology to be distributed directly
to the Healthcare industry in North America.

Faceprint Global Solutions has completed its biometric
software that recognizes facial features of individuals
entering and leaving through airports, ship yards, banks,
large buildings, etc.

FCPG acquired Montreal-based Apometrix Technologies,
which enhances the companies mission of being a
full-service provider to the multi-application smart
card industry. The North American market appears ready
for significant expansion of price-competitive, proven,
multi-application solutions on smart cards. Apometrix's
forecast of over 300 customers and sales of more than $50
million in North America over the next five years, appears
very realistic, according to company management.


Faceprint Global Solutions is currently in contract negotiations
with over 40 governmental agencies and businesses seeking to use
their encryption, biometric, and smart-card technologies.

Breaking News for Faceprint Global Solutions (FCPG)

Faceprint Global Solutions (FCPG) is pleased to announce that
IBM will now offer the world�s leading encryption software to
its major Healthcare clients in North America.


With FCPG owning the exclusive North American rights to distribute
the worlds leading encryption and transmission software developed by
Keyvelop, FCPG is poised to capture large volumes of sales generated
by customers currently using IBM�s software in the healthcare and other
industries.


�This is a very positive move for FCPG and for Keyvelop,� said FCPG
CEO Pierre Cote. �We are very happy about the decision to go with IBM.
This is a continuation of the progress made by everyone associated
with FCPG and its partners.�

Buell Duncan, IBM's general manager of ISV & Developer Relations commented,
�Collaborating with Keyvelop will ensure that we develop open solutions that
are easy to maintain and cost effective for our customers in the healthcare
and life sciences industry.�

Among other things, this new software technology which is currently
being used by a number of European healthcare companies, is used to
send any file, regardless of format or size. Encryption keys, evidence
of transmission integrity with fingerprint calculation, time-stamping
of all actions and status record updating, pre-checking sender and
receiver identities, validating file opening dates are part of Keyvelop features.

About FacePrint Global Solutions, Inc.

FCPG operates a business, which develops and delivers a variety of
technology solutions, including biometric software applications on
smart cards and other support mediums (apometric solutions). FCPG�s
products provide biometric solutions for identity authentication and a
host of smart card- and biometrics-related hardware peripherals and
software applications. Apometrix, FCPG�s wholly-owned subsidiary,
combines on-card or in-chip multi-application management solutions
with best-of-breed �in-card matching� biometrics. Keyvelop�s secure
digital envelope solution and Apometrix�s on-card biometrics work
together to produce the winning combination in the fields of security,
traceability and identity management.

Conclusion:

The examples above show the Awesome, Earning Potential of little known
Companies That Explode onto Investor�s Radar Screens. This sto,ck will
not be a Secret for long. Then You May Feel the Desire to Act Right Now!
And Please Watch This One Trade!

GO FCPG!

Disclaimer:
Information within this email contains "forward |ooking statements" within
the meaning of Section 27Aof the Securities Act of 1933 and Section 21B of
the Securities Exchange Act of 1934. Any statements that express or involve
discussions with respect to predictions, expectations, beliefs, plans,
projections, objectives, goals, assumptions or future events or performance
are not statements of historical fact and may be "forward |ooking statements".
"Forward |ooking statements" are based on expectations, estimates and projections
at the time the statements are made that involve a number of risks and uncertainties
which could cause actual results or events to differ materially from those presently
anticipated. We were paid a sum of three thousand USD to disseminate this information
from ir marketing. Forward loking statements in this action may be identified through
the use of words such as "projects", "foresee", "expects", "will", "anticipates",
"estimates", "believes", "understands" or that by statements indicating
certain actions "may", "could", or "might" occur. Risk factors include
general economic and business conditions, the ability to acquire and develop
specific projects, the ability to fund operations and changes in consumer and
business consumption habits and other factors over which the company has little
or no control. The publisher of this newsletter does not represent that the
information contained herein are true and correct.

7:33 pasdite  

Post a Comment

<< Home