METAFORA 5
Viti I, nr. 5 Editorialpoetit 11 / 2005
NJË VIT ME METAFORËN
Revistat letrare vijnë e shkojnë, ashtu siç shkojnë edhe editorët dhe botuesit e tyre. Fatin e tillë e kanë edhe librat, megjithatë ato ruhen diku. Janë raftet e bibliotekave, ato që brezave ua ruajnë, atë që pararendësit e lanë të shkruar. Pikërisht, këtij misioni ecën edhe metafora e cila për një vit të tërë dha zërin më besnik të mendjeve të ndritura qofshin ato të letërsisë sonë apo të asaj botërore. Ajo lindi një vit më parë në një vend të vogël alpik, në një cep të Evropës.
Lindja e saj i ngjason lindjes së një fëmije, siç janë edhe librat për shkrimtarin. Me kohën u rrit dhe gjërat që i mësoi gjatë rritës, i trasoi me shumë besnikëri tek lexuesi që aq shumë i ka të përzgjedhur. Shumë lexues që përcollën rritën e kësaj luleje të letrave tona, na shkruan letra mirënjohjeje e falënderimi, që gjithmonë kanë qenë motiv në punën tonë. Ajo u rrit me stinët dhe sa herë që erdhi solli vlera të reja letrare të cilat gjithmonë shkëlqyen me rritën e fjalës, përpara lexuesit tanë. Hë pra, "fëmija" me emrin „Metaforë“, tani po e mbush një vit, që brenda pesë stinëve të saja na gëzoi gjithmonë me kënaqësinë që sjell fjala e shkruar letrare. Urojmë edhe shumë mote me metaforën! Redaksia
PAK DRITË NGA METAFORA E ARRATISUR
Çfarë t'i them atdheut në këtë përcëllimë malli, se, jemi shpendët e zogut që quhet shqiponjë dhe, gjithandej nga jemi, na mbledh me krahët e saj e na shpie atje ku bukës i thuhet bukë, e ujit ujë, për të na i shëruar plagët tona, këtë mall të trazuar, për t'ia freskuar balli flladit të atdheut? Ç'të themi në këtë kohë, kur edhe fjala djeg? Digjet zjarrmisë, përvëlon balli i saj. Digjet etjes për pak dritë në këto humbella malli, kur kemi mbetur vetëm hije, prapa fjalëve që ia përcjellim atdheut, në krah shqiponje. Asgjë më shumë se shpresa që na mban dhe dashuria që na jep forcë s'ka mbetur në këtë kohë. Përvëlon malli. Etja për një fjalë, qoftë edhe të vetme shqipe, djeg ballit tonë. Si ta shuajmë atë? Ku ka melhem më të mirë në këto çaste se metafora? Ajo jep shpresë, shuan etje, bashkon brigje e ura, na sjell në atdhe, na shtron në sofër ndër kulla, na ngroh te oxhaku e, ia themi këngës me çifteli, në odat tona. Ngjallen Skënderbetë, Mic Sokolat e Adem Jasharët, Naimi e Fishta... atdheut i japin dritë. Dhe ti, prapë ndihesh se gjallon diku, se s'të ka mbytur errësira e rrugëve, se edhe atje ku je mbetesh kandil i pashuar që shpërndan dritë nga drita jote. Ti digjesh etjes sate si një kandil i ndezur diku në vetmi, për t'u bërë dritë të tjerëve. Le të marrë krahë drita e fjalës sate, e të fluturojë me krahët e shqiponjës, atje ku etja frymon e rrjedh shqip, për t'u sjellë pak dritë nga metafora e arratisur.
Zvicër, tetor 2004
Letërsia i detyrohet kombit
Kombi ynë ka kaluar nëpër shumë peripeci, dhe dy çështje janë kryesore që e kanë shtyrë të qëndrojë dhe njëkohësisht të bëjë sfidë kundër pushtuesve: E para është se, shpeshherë e ka bindur veten se duhet rezistuar, por nga ana tjetër të shumtën e rasteve ka hezituar, ndonëse koha ka qenë e papërshtatshme. Pushtuesit e kanë sulmuar nga çdo anë dhe kombi ynë mezi ka arritur të mbijetojë. E dyta, është vetë letërsia e rilindësve, mbase edhe ajo më përpara që ka arritur ta sensibilizojë çështjen kombëtare. Asnjë shkrimtar nuk ka mundur të bëjë gjë pa idealin e lartë që ka ndier për popullin e vet në rezistencën e paepur, në luftërat e shumta, ku përherë ka dalë në ballë një prijës, siç ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, më vonë edhe kryengritës nga koha e Lidhjes së Prizrenit, luftërat e 1910 dhe 1912, si dhe lufta mbi të gjitha luftërat, lufta e UÇK-së e vitit 1998-1999, që i dha fund pushtimit mbi njëqindvjeçar. Disa autorë, luftën për çlirim e kanë trajtuar në masë më të madhe në veprat e tyre, qoftë në poezi , qoftë në prozë. Subjekti lirik, në librat me poezi tek poetët, përherë del fytyra e atdhetarit, e kombit, e dashurisë së zjarrtë për vendin, për tokat shqiptare. Në raport me jetën, me vetë ngjarjet, letërsia ka bërë mjaft. Është krijuar një opus i madh veprash letrare që secila syresh shpalos historinë kombëtare. Pothuajse në të gjitha gjinitë letrare janë prekur temat nga jeta dhe lufta, nga dashuria për çlirim kombëtar. Prandaj, letërsia dhe kombi, apo anasjelltas gjithmonë sikur shkojnë bashkë. Edhe nëse ka dallime, ato janë të pakta, simbolike, sepse në esencë në plan të parë del përherë qenësia jonë kombëtare, ruajtja nga zhbërja dhe motivimi i shkrimtarëve për ta çuar më tej mesazhin e tyre poetik. Përsëri e vlen të përmendim qëndrimin jetësor të kombit, që diti të rreshtohet kur qe nevoja, dhe në këtë rreshtim të madh apo të vogël mbijetoi njeriu ynë; u shkruan vepra të ndryshme letrare, u shpërndanë tek lexuesi dhe kësisoj e tërë ngjarja e madhe e një rrugëtimi shumë të gjatë e plot sakrifica bëhet ekuivalent i kohës. Shikuar anën përmbajtjesore këto vepra, pra vetë letërsia rezulton me atë se çfarë kanë bërë njerëzit tanë, dhe çfarë kanë “përshkruar” krijuesit shqiptarë, sa i kanë përmbushur objektivat e tyre dhe sa është e qëndrueshme një vepër letrare në raport me kohën. Duke qenë se gjithnjë kërkohet profesionalizëm dhe letërsia të bëhet konsekuencë për një ekzistencë shpirtërore, megjithatë, ekziston edhe diç që jo gjithherë i ka përmbushur kërkesat e kombit. Edhe në kohën e monizmit janë bërë vepra që s’kanë qenë të “pëlqyeshme” nga sistemi, por tani për prezantimin e tyre kërkohet një qasje tjetër, ndërkaq për vepra të reja kërkohet mish dhe gjak tjetër; krijuesi duhet ditur rrugëtimin e kombit dhe synimet e tij, dhe jashtë kohës dhe hapësirës ai s’mund të dalë. Për një situatë çfarë ndodhemi, gjendja në letërsi është mjaft e volitshme. Kombi është boshti dhe organika e qenies, ndërsa pas fjalës së shkruar rri autori me qasjen dhe perceptimin e tij vetjak, i plotfuqishëm që ndjek një diskurs letrar dhe kombëtar. Në formë biografike, letërsia ka përshkruar pra fatin e individit dhe të kolektivitetit, të vetë kombit. Letërsia dhe kombi përherë janë të pandashme, ndërsa vend qendror zë njeriu ynë, që në përjetimin e tij, duke mbajtur në kujtesë historinë e vet, nuk harron të kaluarën, e ngrit aktualitetin e së tashmes në shkallë më të lartë, me vizion të qartë për të ardhmen, si parakusht për të qëndruar në nivel me shtetet perëndimore, posaçërisht me ato më të avancuarat në botë. Pra, letërsia përherë i detyrohet jetës dhe qenies së kombit. Marrëdhëniet që i japin në koherencë njëra-tjetrës nuk janë vetëm pjesë apo çështje formale, por përmbajtësisht një sens i etikës së lartë të vetë njerëzimit.
10 maj 2003
Pavarësia krijuese dhe hapësira e autorit në shoqëri
PAVARËSIA KRIJUESE
Se krijimtaria është një çështje individuale dhe e pavarur, kjo dihet. Krijuesi për ta ruajtur atë pavarësi, nuk duhet të jetë i prirë apo nën ndikimet e jashtme, por edhe ato të brendshme që mund të lindin ndonjëherë, sepse do të çonin në dëm të veprës së krijuar. Ndikimet e jashtme mund të jenë të shumëngjyrshme nga të cilat do të njollosej vepra e krijuar. Ato mund të jenë: ndikime grupore, klanore, partiake, etj. Në ndikimet individuale që mund të lindin tek krijuesi, mund të jenë: simpatia, urrejtja, interesat individuale,etj. Të gjitha këto që i përmendëm, në kuptimin negativ do të ndikonin në dobësimin e qëllimit dhe ruajtjes së pavarësisë krijuese. Ekzistojnë edhe elemente tjera që mund të nxirren brenda kësaj hapësire, por është shumë e rëndësishme që krijuesi të ruhet nga këto ndikime. Ai duhet ta ndërtojë hapësirën krijuese jashtë këtyre kornizave, brenda një vizioni më të gjerë nga i cili nuk duhet të ndahet asnjëherë. Këto ngacmime negative, mund të jenë të përkohshme, ndërsa vepra e krijuar, mund ta ruajë përjetësinë. Është edhe një element shumë i rëndësishëm nga i cili fillojnë të gjitha këto çështje. Pastërtia shpirtërore është faktor kyç për ndërtimin e personalitetit krijues, sepse nga aty do të niset misioni i veprës, se çfarë pavarësie dhe shëndoshmëri do të ketë një vepër. Sa do të jetë në gjendje krijuesi ta ruajë atë pavarësi, këtu lidhet i gjithë problemi. Pra për ta ruajtur pavarësinë krijuese, krijuesi nuk duhet të udhëhiqet as nga parimet e sëmura individuale që mund të ekzistojnë në qenien njerëzore e as nga intencat grupore apo klanore të cilat reflektojnë rreth tij. Në një kuptim më të gjerë, krijimi i dedikohet dikujt, por ajo duhet të ketë hapësirë të gjerë e të pavarur nga e cila do të fitonte gjithmonë arti. Në këtë rast edhe krijuesi, por edhe vepra e krijuar, do ta reflektonte vetë hapësirën dhe pavarësinë krijuese, nga e cila s'do fjalë se do të rridhte suksesi.
HAPËSIRA DHE MUNDËSITË AFIRMATIVE TË KRIJUESIT NË SHOQËRI
Hapësira dhe mundësia afirmative e krijuesit, është një çështje në vete brenda së cilës shpesh sillet suksesi dhe mossuksesi i krijuesit në shoqëri. Pra, shpesh, suksesi varet nga rrethanat dhe zhvillimet brenda një shoqërie të caktuar. Kur e themi këtë, e kemi parasysh hapësirën krijuese që mund ta përcaktojnë faktorët e zhvillimeve politike brenda një sistemi të caktuar në shoqëri. Nëse krijuesi është i prirë ta thotë mendimin e lirë të tij, por që nuk i përshtatet një zhvillimi politik në kohë të caktuar, hapësira e tij është e kufizuar. Kjo ka ndodhur shpesh në sistemet moniste, por për fat të keq, pasojat e këtilla po barten edhe në sisteme me pretendime demokratike. Me një fjalë, krijuesi gjithmonë duhet të jetë i prirë nga një parashikim e krahasim me kohën, dhe ndodh shpesh që hapësira e tij të jetë e ngushtuar nga çështjet e mospërshtatjes me kohën, apo moskuptimit të drejtë të tij. Brenda kësaj hapësire të ngushtuar, gjithmonë dëmtohet fjala e lirë. Dhe, nëse ky mendim i lirë që duhet t'i paraprijë krijuesit nuk i përshtatet kohës, sistemit, grupeve, apo klaneve që i kanë në dorë institucionet e caktuara në shoqëri, mundësitë e tija për afirmim, do të hasin gjithmonë në pengesa. Pra, në këtë rast, mundësia për afirmim, prapë ndihet brenda grilave. Kjo siç e thamë më lart ndodhi gjatë sistemeve moniste kur individë të caktuar, u gjendën në ballë të institucioneve që i shërbenin shtetit, e jo interesave të popullit. Krijuesi duhet të jetë i prirë t'i shërbejë letërsisë e cila i detyrohet kombit, ndërsa, jo gjithmonë, pushtetet i shërbejnë atij. Në këtë pikë hapësira afirmative në shoqëri gjithmonë ngelet e cunguar. Në sistemet më të avancuara, çështja qëndron pak më ndryshe, por jo edhe tek vendet në tranzicion, sepse pasojat e një mentaliteti të caktuar kërkojnë kohë për t'u ndërruar. Mundësitë afirmative, siç thamë në shoqëritë më të avancuara, lidhen ngushtë me vlerat, interesat e shtëpive botuese të cilat pastaj, vënë në lëvizje gjithçka: reklamat, mediat dhe gjithë potencialin reklamues që do të krijonte hapësirë të gjerë në shoqëri. Këtij drejtimi, shpesh ngrihen edhe vlera. Shtrohet pyetja: si mund të ndodhin ato? Brenda një zhvillimi kohor, apo një ngjarje që tërheq opinionin, krijohet një vepër që do t'i përshtatej kohës. Ajo mund të bëjë një bum në shoqëri, pavarësisht nga vlera që e ka. Raste të tilla kanë ndodhur, më pakë në letrat shqipe, por më shumë në atë botërore. Në fakt, në vizion, ato krijime kanë rënë me rënien e interesimit për një ngjarje të caktuar. Kështu pra, brenda saj edhe nëse ka munguar vlera, bumi i kohës e ka ngritur, por kalimi i kohës e ka hedhur harresës. Në këtë rast, hapësira afirmative lidhet ngushtë me fatin e krijimit-veprës. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet të krijojë vlera, pavarësisht se brenda një kohe të caktuar i mungon hapësira. Kohët ecin dhe kualiteti i veprës u qëndron atyre. Kjo ka ndodhur edhe në letërsi, edhe në art, pikturë etj, kur shumë krijues pas vdekjes së tyre, vepra e tyre e ka arritur kulmin e hapësirave në shoqëri. Vlera e krijimit e gjen kohën dhe hapësirën vetë në shoqëri, pavarësisht se gjatë një kohe të caktuar ajo cungohet.
ROLI I INSTITUCIONEVE NË AFRIRMIMIN E KRIJUESIT
Kur flasim për krijuesin, parasysh gjithmonë e kemi veprën e tij, kjo është e pa ndashme. Se cili është roli i institucioneve, qofshin ato kulturore, informative apo edhe institucione shtetërore, pak a shumë u thanë edhe më lart. Megjithatë, disa çështje duhet të kapen më gjerësisht për ta qartësuar këtë çështje. Nga institucionet që u zunë në fjalë, do të fillonim me ato kulturore, këtu mund të jenë: shtëpitë botuese, shoqatat e ndryshme, lidhjet e shkrimtarëve, klubet letrare, qendrat e ndryshme etj. Të gjitha këto, kanë rol të rëndësishëm si në afirmimin e krijuesit, edhe në degradimin e tij. Një krijuesit të ri, me siguri se do t'i mungojë përvoja në hapat e para. Mandej, gjithçka nuk mundë të jetë e përkryer. Në këtë rast, ai do të ndeshet që në hapat e parë me këto institucione, që kuptohet i ndërtojnë individët. Marrë në problematikën e çështjes, është shumë i rëndësishëm roli i këtyre institucioneve, se si do të akceptohet krijuesi, vepra e tij. Këtu do të gërshetohen edhe interesat individuale të individëve që udhëheqin një institucion. Përvoja e shoqërisë sonë ka treguar në praktikë, se jo gjithherë ka shkuar në drejtimin e duhur roli i institucioneve në afirmimin e një krijuesi. Kjo është përsëritur shumë herë për fat të keq tek shumë krijues, të cilët kanë përfunduar nën pluhurin e kohës. Me një fjalë, ata janë persekutuar deri në ndjekje penale. Historia e letrave shqipe njeh plotë këso raste, si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Për fat të keq, roli i institucioneve po vazhdon edhe më tej, jo me ato mundësi dhe ato premisa, por megjithatë, ka krijues që edhe sot e kësaj dite e ndjejnë veten të ndrydhur nga këto institucione. Po flasim gjithmonë për anët negative, sepse ato janë virusi që e dëmtojnë fjalën e lirë, e që ne angazhohemi, për një liri sa më të gjerë të krijuesit në shoqëri. Për fat të mirë, kjo nuk ndodh me krijuesit që kanë filluar të bëjnë emër, ose janë të afirmuar në shoqëri. Ata nuk janë të varur nga këto institucione. Kjo duhet të dihet botërisht, për arsyen se: krijimtaria është çështje individuale. Herët a vonë, vepra e krijuar e gjen vendin e vet, pati o s'pati ndihmë apo pengesa. Çështja është pak e çuditshme, sepse në njërën anë po përmendim institucione të cilat ndërtohen brenda një shoqërie, për bashkimin e vlerave, afirmimin e tyre në shoqëri dhe më gjerë, thithjen e atyre vlerave dhe shumë detyra tjera që mund të kenë ato. Mirëpo, përvojat e zhvillimeve në shoqërinë tonë, brenda këtij gjysmëshekulli, kanë treguar, se ka pasur institucione që kanë vendosur edhe në dëm të krijuesit. Kjo pikë e zezë, është edhe esenca e problemit të cilin po e trajtojmë. Nga këto dobësi, duhet të mësojnë të gjithë individët brenda këtyre institucioneve vendosëse, se për hir të interesave të ngushta, smirës, interesave klanore apo edhe arsye tjera që mund të gjenden plot, vendosin në dëm të krijuesit. Brenda një kohe të caktuar, roli i tyre mund ta dëmtojë krijuesin, por jo përjetësisht. Kohët ndryshojnë, dhe krijuesi i vendosur do ta gjejë veten në shoqëri. Do të jetë ai që do ta demaskojë kohën e ligësive pastaj. Kur flasim për aspektet pozitive, institucionet mund të ndikojnë shumë në fillimet e para të krijuesit, deri sa ai ta gjejë veten në shoqëri. Në fund të fundit, lexuesi është ai që zgjedh dhe jo institucionet. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet ta krijojë pavarësinë e vetvetes dhe përmes veprës së tij, ta kërkojë rolin në shoqëri. Të gjitha këto që u thanë, kapin të gjitha nivelet e institucioneve. Megjithatë, kohët ecin siç ecën vepra e krijuesit. Dëshira gjithmonë i çan hapësirat që mund të kenë qenë të mbyllura, dhe edhe pse me vështirësi, krijuesi e gjen veten e vet. Ku mbetet roli i individëve dhe institucioneve?! - Kjo është pasoja.
16.12.2003
Filip SHIROKA
Shko Dallëndyshe...
Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim.
Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.
Hil Mosi
Gjuhës shqype
Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt' për Perëndi,*
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!
Gjuh' e shejt' e kaq e moçme.
Gjuh' sakole**der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun:
T'rrebt' e t'bukur e t'kulluemun;***
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.
Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par' qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol' shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!
Gjuh' e bukur si pranvera,
Ti s'do t'quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me t'tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja
Veç duem ty me t'pa në dritë.
Wien (Vjenë) 14.I.1907
(*) poeti imagjinon sikur me gjuhën tonë folën perënditë e orakujve të lashtë të Dodonës etj.
(**) për: gjuhë trimëreshë;
(***) tri veti që ka gjuha jonë.
FAN S. Noli
Syrgjyn vdekur
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nën’ô moj, mbaj zí për vllanë,
me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë tradhëtór.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nën’ ô moj, të ra dëshmór.
Nën’ ô moj, vajtó merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimërór.
Nën’ ô moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha lirí, kurorë,
Shpirt’ i bardhë si dëborë,
Ti s’i dhé as varr për hór.
Nën’ ô moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjaltë e zëmër-hekur
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn vdekur
Ky vigan libëratór.
Berlin, shkurt 1926
Botue te “Liria Kombëtare”, Numër i jashtëzakonshëm, 28 Nëndor 1926, Vit.II, nr. 35, Genève
Andon Zako Çajupi
Mëmëdheu
Mëmëdhe quhet toka
ku më ka renurë koka,
ku me ka dashur mëm' e atë,
ku më njeh dhe gur' i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kane venë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdesë.
MIGJENI
TË BIRTË E SHEKULLIT TË RI
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot -
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtRejtë t'u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast' i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S'duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s'i duem humbjet prore -
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë "shejtnim",
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis -
të jem' një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem' me ra fli.
Jusuf Gërvalla
Skena nga jeta e fshatit
dritarja e avulluar semaveri i çajit edhe vjeshtë
i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetrohen
përmbi rafte ftonj një plakë si pikturë
a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim
bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë
me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre
tek gjej ngushëllim mes sendesh që s'janë më
atje diku në botën time atje diku larg
eja përsëri netëve të vona si hije që sajon
pak frymë njeriu e pak dritë qiriri.
Nga memoaret e një shëtitësi
kur u ktheva nën pullazin tim mbuluar me kashtë
nën qepallat e lodhjes e të kohës botën
e në botë s'kish tjetër pos shkëlqim ari e qelqi
mbi rrashta e penda të larta zogj alumini
kish edhe uri edhe poetë edhe ujëvare në botë
kish njerëz prej druri e kafshë të buta kudo
kish edhe hieroglife dy fjalë dhe gjurmë që s'fshihen
kish lumenj të egër e fosile të lashta
mes muresh të trasha fshesa dhe minj.
TRE POET NË MËRGIM
Shaip BEQIRI
HARTA
E hap të mbyllurën në vete
Lëkurërrjepurën e thërrmuar
Perden time të ëndërrueshme
Dhe mbështillem sërish me të
Përmbi thika shkëmbinjsh \
Në detin që ndryhet i tëri
Ndër guaska klithmash e gjaku
Mes fushash e qiejsh të shkretë
Ku endet sall fija e ankthshme
E telit të pakëputur gjembor
LLAPI
Ta pashë fytyrën të gjymtuar
Në gjakun e mpiksur nën akull
Balli t`u ça ndër stuhi
Dhe çeli lulja jote e egër
Nga dheu i vet i shkretuar
Në hejbe ngashërimi ngarkuar
Toplica krahnezë të ngriu
Ra gjunjpërgjakur ujëvara jote
Ah përgjithmonë t`u zhbi Veriu
Mbete një pellg i rrafshuar
Përjashta duke u fashitur
Me mllefin tënd përbrenda
Një xixë kujtimi e pafikur
Të lashë mbi gulfa gjaku
Të zemrës së copëtuar në flakë
FLAMURI
E kisha një atdhe me lecka
Një atdhe si askush tjetër
E mbaja gjithë në zemër
Thellë ma prenë me thikë
Ndonjëherë ma vrisnin
Dhe më ngjallej sërish
E kisha edhe një flamur
Që e mbaja në gjysmështizë
Tash e vë në majë të gjuhës
Shpirtin e shenjës së mirë
Nga libri ”Eklipsi i gjakut
Gëzim AJGERAJ
KOLORITI I IKJES
Në pikturën e ikjeve
vijat kanë kolorite të çuditshme
Mbi akuarelin gjeografive tona
Ato ranë mbi pikturën e udhëve
Jo vetëm si ikje e moçme kur atdheut
e ngarkuam strajcën e ëndrrave
e e lamë dorës barbarit të veriut
S`ishte vetëm ikja për ta shpëtuar kokën
nga tehu barbar
Me mallin ngarkuam dhe ëndrrat në xhep
e atdheun e mbyllëm në kullën e mendimit
Dhe me etjen e ëndrrave të mashtrimit
Nënshkruam fletëve të harrimit
Gjithçka u zbehë mbi me vjeshtën e ikjeve
në pikturën surrealiste te trishtimit
Tani derdhen trishtueshëm ngjyrat e ikjeve
në detin e fletëve të harrimit
S'deshta t'i përziej ngjyrat e ikjeve
Ato erdhën e na gjetën mes pikturës së udhëve
6 korrik 2005, Zvicër
UDHËT E PËRMALLIMIT
Je mbushur plotë mall zemra ime
Udhët e kthimet na presin
E nesërmja mos të na gjej ikjeve
Me zjarrminë e alpeve
Biem e zgjohemi plot mall
Dhe bukën hamë mallëngjimit
Pas mbathcave dua të ngjitem një ditë
Robëri zhuritëse është kjo
Se një ditë pa tjetër dhe ne do të ikim
Mallkimit s'do të dergjemi për jetë
Përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve na pret malli
Ah ç'na dogje largësi
Udhët larg ç'na harruan
Si zog i humbur në shkretëtirë
Pa qiellin e lirë që aq shumë e donë
Ç'zjarr malli digjet mbi ty
Zvicër, 1 qershor 2005
Brahim AVDYLI
MARR NJË GRUSHT DHE
Marr një grusht dhe Kosove
e përqafoj si fëmijën
butësisht e plot mall!
I flas si njeriut tim
sepse ma zgjon hijen e atyre që ranë
duke e mbrojtur,
atyre që ndërruan jetë
duke mbjellë në te
bimën e shpresës për të nesërmen!
Kur më flet,
më flet me gjuhën e djersës dhe gjakut
të etërve që mbuluan
eshtrat me te;
me gjuhën e bimëve
dhe çdo gjëje që rritet
me thërrmijat e tij...
ndaj i përkulem si hyjniut
sepse është pjesë e altarit më të shenjtë!
Ah, sa mall të mbaj midis grushteve
dheun për të cili jetoj e marr frymë,
dheun për të cilin derdha lot,
për të cilin mund të vdes
në çdo kohë-
brumin dhe plafin tim të përjetshëm!
Morinë, 1998
PËSHPËRITJET
E NJË GJETHI TË THARË
Vështirë pranoj të zverdhem nga gjelbërimi
kur më soset fryma e ditëve të mia
duke kulluar ajrin dhe fshirë hapësirën
nga thërrmijat e imta të vdekjes
ngjyra më shpenzohet ngadalë e padiktuar
me atë gjoll murtaje në zemër...
Sa lehtë më shkëput dora e kohës
e m'lëshon përtej kujdesit të vet
mbi tokën e lagur të dhembjeve,
prapë u rri te këmbët degëve të mia
nën dëborën e heshtjes e rrëketë e pikëllimit
dhe pleh i bëhem trungut kryelartë
për t'ia ushqyer blerimin e stinëve që vijnë!
3 Tregime të shkurtra
NJË CAPUÇINO NË TREVIZO
(Pas një udhëtimi)
Dita kishte ikur mes një udhëtimi të gjatë. Përmes alpeve tani më i stërlodhur, patëm hyrë në qytetin e Trevizos.
Në ç'ditar t'i shkruaja peizazhet e bukura të atij udhëtimi, dyshoj se nuk mund t'i qëndrojë besnik fjala objektivit të fotokamerës.
Megjithatë në mbrëmje do t'i ndaj përshtypjet në letrën e bardhë.
Me pikat e para të territ, mbrëmja e tetorit që numëronte dyzetetetë orët e fundit, na priti në qendrën e qytetit.
Tamam atyre çasteve m'u kujtuan ish-miqtë dhe mikeshat e braktisura të internetit. Herë si emra, e herë si nofka që i ngjasonin "Mullinjve të erës".
Një miqësi, e shuar dikur. Ca pëllumba të bardhë ngriheshin e uleshin mbi qytet. Fluturimi i tyre i ngjasonte një lëmshi që herë zemërohej e mbështillej qiellit, e herë qetësohej e i frynte figurave të paqes.
M'u kujtua "Metafora", miqtë e mi gjithandej: në Prishtinë, Tiranë, Bruksel... Është një histori e moçme, një plagë që herë pas here hapet.
Ta shkruaj, kërkon kohë, t'ia them shkurt, u hyj në hak miqve. Ata më bukur i thanë vetë. Nuk kamë kohë tani, - i thashë vetes.
M'u kujtuan: Flo-Arti, Floripressi, e Albsiti, miqtë e mi të shtrenjtë:( I.P, F.B e E.Sh), një ndjenjë për t'i përshëndetur më trazoi.
Një përshëndetje nga Trevise dhe lodhja për një kafe Capuçino me ftonte në qetësim. Qyteti ishte mbushur plot drita, ndërsa reklamat e picerive me bollëk në ketë qytet na ftonin gjithandej përtej kryqëzimit të rrugëve.
Capuçinon e piva bashkë me pelinin e një mundi të kotë e mosmirënjohës që e pata derdhur diku në një recension.
Mallkova sinqeritetin tim që ia falja gjithkujt dhe ika. Të paktën t'ua shkruaja një letër miqve a vetes një si ngushëllim.
Internet-kafe dhe pronari i saj Marokien , na pritën brenda një lokali të çrregulluar telefonash dhe dy kompjuterë të vjetruar në njërin qoshk. Kërkova leje për përdorimin e internetit, por nuk e mora atë.
Duhet të jeni i regjistruar, më tha Marokieni - zbatojmë ligjin e “antiterrorizmit”. Qenkan bërë të huajt ta mbrojnë Italinë nga terrorizmi! - O zot, pëshpërita me vete, - ma kujtoi Zvicrën, majën e sigurisë dhe demokracisë së shteteve të botës.
Diç si pëshpërimë, mu bë atyre çasteve. Miqtë e mi në Prishtinë e Bruksel, të më falni, - ligji për “antiterrorizëm” ma ndaloi përshëndetjen me ju.
Bashkë me zonjën time F. u kthyem në veturë dhe po pritnim.
Një zë nga jashtë na thirri: - Mirë se erdhe bacë, - u dëgjua një urim. Ishin: Flamuri, Fadili, Bajrami e Esati, që kishin dalë të pritnin, por jo edhe ish-mikeshat e pendës të trembura nga hija e vet.
Trevizo / Venecia – Itali, 29,30.10.2005
LULET PËRSKAJ RRUGËS
(Shokut tim të fëmijërisë; H. M)
Një tufë me lule përskaj rrugës, m'i trazoi dhembjet. Në një cep të rrugës që çon nga qyteti P. në drejtim të kufirit me atdheun, jo shumë larg rrjedhës së Lumëbardhit ku ngjitet me Drinin, një emër i skalitur mbi gur dhe një tufë me lule aty pranë, më ndalën në udhëtimin tim me makinë. Kujtimet më kthyen në bankat e shkollës. Ç'nuk do të bëja që atyre kujtimeve të fëmijërisë të mos u shtohej kjo dhembje e sotme. Mu në ato çaste kur mbi gurin e mermertë e lexova emrin H..., m'u kujtua shoku im që ka ikur përpara kohe nga kjo botë. Kujtimet dhe dhembja nisën të përzihen bashkë. Muza e dhembjes më ngacmoi. T'i ndrydh brenda meje, janë bërë shumë ato, t'i lë për një herë tjetër, vetëm sa më rëndojnë këtij udhëtimi. Do t'i shpalos bashkë me dhembjet në një vend. Aty përskaj rrugës, nëpër fijet e barit të pranverës përreth gurit të mbuluar me lule, nis dhembja. Erërat e kujtimeve më shpien në vogëlinë e hershme kur luanim si fëmijë në lagje. Mblidhnim qershi se kush do t'i gjente kalaveshët më të mirë për vesh. Shkokëlonim si zogj mbi një kalavesh rrushi e i këndonim këngë atdheut. U rritëm bashkë, unë me prind, e pa të diku larg në mërgim, e ai jetim pa babanë. Me duart e skamjes e të mjerimit rrita e tij. Në Abetare bashkë mësuam ABC-ën, Lulin e vocërr e lexonim për ditë. Edhe karrigen shpesh e ndanim përgjysmë. Ia matnim rritën e njëri tjetrit. Vetëm studimet na ndanë por jo edhe udhët e mërgimit që na vodhën të dyve. T'i shkruaj të gjitha, dhembja është trazuar e po më mashtron. Ajo veç se po shtohet. Nuk më besohet se shoku imë H. M. aksidentalisht të ketë ikur kaq shpejt nga ne, të paktën pa një lamtumirë. Ndjehem i trishtuar, loti po më tradhton. Kujtimet nuk mund t'i shfletoj më. Ato ishin ngurtësuar mbi gur. Syve nuk kisha dëshirë t'u besoja më. Është portreti i tij, apo guri po më mashtron. Buzëqeshja ishte ngurtësuar mbi pllakën e gurtë dhe po heshtte. Përskaj një tufë me lule mbi lëndinën e bleruar. Një çast i dhembshëm që nuk di si ta shpjegoj dot të tërin. Provova ta marr veten, por ato çaste më përplasën shpatit të bleruar mbi rrugë. Nuk e di, vërtet nuk di si u gjenda atyre çasteve. Megjithatë, e ngushëllova veten: vdekja vjen gjithmonë e papritur. Ajo na mbetet përherë si plagë ndër ne. Zbrita poshtë rrugës dhe në ato çaste m'u kujtua Migjeni, vëllai i dy motrave jetime, pasardhëset e shokut tim, një çlirim nga dhembja e ndjeva në shpirt.
Prizren, verë 2004
PAMJE E VERDHË
Sapo e porosita kafenë e mëngjesit, erdhi lypësi i vogël. Në njërin skaj të Shatërvanit të qytetit ku isha ulur , jo shumë larg kroit, një dorë e zgjatur kërkonte lëmoshë. Kurrë s'do të kisha pirë kafe, vetëm të mos ta shihja atë dhembje të njomë. Atij çasti të mallkuar ta pija pikëllimin e asaj pamje të verdhë, skish gjë më keq. Pikërisht atyre çasteve, rashë në amullinë e vargjeve Migjeniane që nisën të rrjedhin një nga një. Është një ndjenjë e dhimbshme kur i kujton; "Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi, kur sheh ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta, që t'shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita, edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin, të tan jetën e vet derisa të vdesin". Është ndjenjë e dhimbshme, t'i përjetosh ato, aq më e dhimbshme t'i përjetosh. Një përjetim i atyre çasteve, është një zgjim i dhimbshëm. Ndjenja humane që kurrë s'më kishte munguar nis e zgjohet. O zot! - thashë me vete. Një dorë e vogël që kërkon mëshirën e lëmoshës, i gëzohet humanizmit. Në tavolinë isha fill i vetëm. Kafeneja gumëzhinte bashkë me njerëzit që kalonin rrugëve të qytetit. Përtej, vitrina të mbytura në shkëlqimin e arit. Zhurma makinash që shpojnë kupën e qiellit dhe këngët e muzikës pa nota. Xhami e kisha, që ftojnë njerëzit në lutje. Në këtë farë përzierje kisha humbur i tëri. Shfletova gazetën ta mashtroja veten me gënjeshtrat e politikës, por më dhembnin sytë. Se si më ngelën ata sy të vegjël me atë fytyrë të verdhë e thatake dhe ajo dorë e vogël e zgjatur, brenda kujtesës sime, nuk mund të qetësohesha. Doja të shkruaja diç, por dora nuk më bënte. Lypësi i vogël, që shkonte tavolinë më tavolinë, ma vodhi disponimin e asaj dite. Pamja e tij e zbehtë më tërhiqte gjithandej nga shkonte. Çastet ishin ngrirë brenda dhembjes dhe zemërimit për kohën brenda së cilës përpëlitemi. Dhembja më kishte zbehur të tërin. Kafenë e piva bashkë me pelinin e asaj dite plot verdhësi.
Prizren, gusht 2005
Iljaz PROKSHI: LIRIKA
Më duaj, mos më duaj
Meditim pas një udhëtimi
Kush jam unë për të pritur gjithnjë
Një copë liri po aq të vrarë
Unë që tash e dy mijë vjet udhëtoj
Me sagën e pikëlluar
I përbuzur dhe i humbur nëpër botë
Në fotografi: kombi shqiptar në formën
e trëndafilave
Te Shatërvani
Vetmitar i përbotshëm lagur në shi
Kur rri pranë këtij shatërvani
Më ikin pasionet ngadalë
Këtu në qytetin historik
Mistika rri sall maraz
Përse s’jam përherë pranë tij
Për t’i përqeshur lavdëruesit e marrë
E Lumëbardhi ecën
Pret t’ia them një romance
Të dashurës t’i dhuroj trëndafila
Majë Kalasë me kantatë lirie
Të mos humbas si Sizifi
Nganjëherë të afrohesha
Për të ikur përgjithmonë nga shqetësimet
Qyqavica
Asgjë s’është harruar
Kanë ikur korbat para syve të mi
As koha e mjegullt nuk është më
As besojnë se Trimi është kthyer
Me një ferman si Skënderbeu
T’ia japë Adem Jasharit
Para kullës të ndodhë betimi
Rrugëve kryq pëshpëritin
Shtëpitë akoma digjen
Kohë më kohë diçka ikën
Ujë dua të pi si në Epir
Krojeve të Qyqavicës
Ndryshimi absurd mund vdekjen
Tek mbesin vetëm iluzionet
Atdheu im s’më vret
Dhe martirët janë të shenjtë
Gjiri i Artës
Iliria po tkurret
E dashura ime më ngjitet krahëve
Përgjërimi më djeg përgjithnjë
Sesi m’i përbuzin të parët e mi
Të shpërngulur verë e dimër
Kopshtet lënë bosh
si hëna pa yje në qiell
Joni mjerisht sonte përzihet me dallgë
Gjarpri m’i kafshon plagët
Mbi Gjirin e Artës
Digjen ëndrrat e kobshme
Të Bubulinës
Gji i egër dhe grua e bukur
Asgjë s’doli nga mallkimi i atdheut
Kënga e liqenit të Pogradecit
Nositë të butë të egër me zëra ritmikë
S’lenin në heshtje as Lasgushin
Dhe unë për çdo ditë lundroj
në mendime si Erosi
Të zhbëj intrigat e botës melankolike
Në këtë rrugë hënore
Duke shkelur bregut spërkatur nga valët
Më ringjallen kujtime të së shkuarës
pa helm të bëj një puthje reale
jo si në përrallat e 1001-ve
Dhe kur dielli ndrit mbi liqe
Kufiri zhduket nga dashnorët e arratisur
Besojnë se zgjohen me pasion
Për të përmbysur trishtimin e ëndrrës
Me lot të shkrirë qesha si i çmendur
FLORI BRUQI
1. SONTE KA DRITË
(Fragment poeme për Bellenë e Deçanit)
Bellenë e kafshoi Terri
Terri i netëve me borë
Nga Drita e Elektrikut
Hijet janë tmerruar
Tek ngjiten bellagjorët
Thepave me borë
Fryjnë erërat majave
Telat e elektrikut
Të Kozhnjerit të Deçanit
Si një Hidrocentral vigan
Bellagjorët lavdërojnë
Dritën e Agimit
Bora s’lë të shohim
Çatitë…
Bredhat e bardhë
Dhe bellagjorët e gjorë
S’ndjejnë dot lëvizjen
E Dimrit të madh 2005
Borën që shkrin
Dhe bie në qepallat tona
Nga të ftohtët
Pikojnë
Në mollëzat tona
Lot rrëke
Bukuria e bardhë
Shtegun dëfton
Sonte jemi me ta
Sonte…
Bellagjorët e vegjël
Trokasin në stane
Sonte motrat bellagjore
Këndojnë këngët
Urime Gëzuar Urime 2005!
Mbi
Shtyllat e Dritës Elektrike
Pareshtur bie borë
Shkëlqejnë
Fijet e akullit
Strehëve të stanit
Sajat rrëshqasin
Fëmijët bellagjorë
Lozin me toptha bore
Dhe Belleja
Prapë në muzg
Dritat përpëliten varg
Belleja fole Shqiponjash
Ngritur mbi shkëmb
Lumi i Bardhë i Deçanit
Lumëmadhi i rrjedh nën këmbë
Fryjnë murlanët
Nëpër telat Dritë
Të Florim Krasniqit nga Amerika
Si një daulle vigane
Jehon poezia…
Shkrimtari ynë i madh
-Mark Krasniqi
Lavdëron
Të djeshmen
Të sotmen e Bellesë
E bora
S’ na lë
T’i shohim çatitë
Ata ndjejnë
Se nën to s’lëviz Dimri i madh
Të pagjumët
Dhe bellagjorët
I përshëndet Qielli dhe Dielli…
Anton Pashku,
Rilindja. Prishtinë, 1990. Fq. 7-12
Fragment nga romani "OH" i Anton Pashkut
KUR U KTHEVA, me nder me thanë, prej nevojtores, ku për pak nuk më zuri gjumi, e ndoshta dhe do të më zinte, e besa dhe do ta bëja një sy gjumë të rrastë sikur të çlirohesha mirë dhe sikur duqi i cigares të mos m'i kishte djegur gishtat, u ndala para pasqyrës ku, tue i pa qyrat e jargët që më kishin ardhë deri te thembrat e kambëve dhe tue i pre me kujdesin ma të madh me gërshanët që vizllojshin, së paku mue më dukej se i prejsha me gërshanët që vizllojshin aqë shumë, sa m'i lëbyrshin sytë, m'u kujtue se kisha harrue ta lëshoj ujin për ta shpërla nevojtoren. M'u desht të kthehem përsëri në nevojtore per ta lëshue ujin dhe për ta ndëgjue vrushkullin e tij, për ta ndëgjue zhumhurin e vrushkullit të ujit që ra rrëmbyeshëm e treti në kanal pa marre gja me vete. Dhe s'kishte ç'të mirrte kur unë, me gjasë, po ha vetëm gjana që po me bajne kaps nga disa dite rresht. Kurse tue vojtë ne nevojtore per të dyten herë dhe tue u kthye përseri te pasqyra, per pak nuk u rrëxova: rreth meje, kahmos rreth meje, kishte rriska vizllimash, në te cilat mirrsha ne thue; çudë, s'i kisha pasë pre qyrrat e jargët, po ç'kisha pasë pre vizllimen e gërshanëve dhe, në vend se qyrrat e jargët, nuk di ku i kisha trete gershanet, kështu që tashti m'u desht qe jarget e qyrrat t'i pres me copat e vizllimave të gërshaneve. Dhe, keshtu, pak i lehtuem, tue qendrue bukur mirë para pasqyrës, e krova sjetulIën që më digjte nga djersa ( disa here me radhë u mora ere gishtave, te cilët nuk ishin te mermë, por as te ndohtun nga ndonji gja qe tash do te kundërmonte rande), mandej shikimi m'u ndal në kerthize, nuk di pse m'u ndal aty dhe pse e shikova aqë gjatë kerthizen time, mandej e nxora gjuhën, gjithashtu nuk di pse e xora gjuhën dhe pse me te përpiqesha me e lëpi mjekrën e, nganjihere, dhe majën e hundës sime. Kurse ma vonë, në pasqyrë, i pashë dejt e mufatun te qafës sime dhe sytë që i zgurdullojsha gjithnji e ma tepër padijtë pse po i zgurdullojsha aqë shumë; sytë e mi aqë shumë te zgurdulluem panë në pasqyrë gjunin e saj te bardhë, gashtën e gjunit të saj të bukur, gashtën e gjunit të femnës që tane ditën e lume, qe nga agu e deri më tash, e tash vetëm dhe nji grimë kohë na ndante prej muzgut, ndejti e shtrime ne shtrat pa e thanë asnji fjalë. Dikur u largova prej pasqyrës, tue krue edhe ma tutje sjetullën, dhe u ndala para akuariumit të vogël: dy peshq, që s'dukeshin as të mjerë e as të lumtun, as të hutuem e as të habitun, dy peshq, pra, rrijshin pezull dhe gati pa luejtë fare midis hapësinës së akuariumit të vogël, ndërsa peshku i trete, që kish disa pika të kuqrremta në trup, pika të kuqrremta që shiheshin aty këtu nëpër atë trup të vogël, lëvizte pajada poshtë e nalt nëpër akuarium. Mbasi shtrati më dukej si të ishte në fund të ndonji shkretine të paskajshme, e jo në dhomën e randueme nga heshtja që trazohej vetëm nga ofshamat e saj, ofshamat e rralla të asaj femne, ofshamat e lehta, por të gjata, që me dukeshin tepër të thekëshme, e s' dijsha pse më dukeshin aqë të thekëshme, që më cimbojshin, e s'dijsha pse dhe si më cimbojshin u shtrina në dysheme, ku kryet e palova afër. kambës së femnës që kish rrëshqitë e dalë jashtë shtratit. Vazhdova të shikoj akuariumin e vogel, ata dy peshqit qe rrijshin pezull dhe atë te tretin me disa pika të kuqrremta ne trup qe bridhte poshte e nalt nepër akuariumin e vogël; ato lëvizje të tij të pazashme m'i kujtuen valët, në të vërtetë lëvizjet e valëve të lehta të liqenit. Nuk di pse m'i kujtuan bash valët e atij liqeni. Njimend, nuk di pse m'i kujtuen, njimend s'di pse e kisha nxjerrë gjuhën dhe pse me atë gjuhë isha përpjekë me e lëpi mjekrën, madje edhe majën e hundës sime, dhe pse i kisha zgurdullue sytë kur qesh para pasqyrës, me ma pre, me ma pre thonin që tash, kështu po thonë, s'e kam (e pse bash thonin e jo gishtin, e pse bash gishtin e jo kambën, e pse bash tane kambën e jo tanë do ren, e pse bash tane doren e jo tane krahun, e pse bash tanë krahun e jo kërthizen, e pse bash kerthizen e jo qafën ose kryet, e pse bash thonin e gishtin dhe tanë kamben e doren bashkë me tanë krahun dhe kerthizen e qafën dhe kryet e jo bash qyrrat dhe jargët?), nuk di, jo, njimend nuk di, nuk di pse m'i kujtuen levizjet e valëve të lehta te liqenit, nuk di pse ma kujtuen liqenin, ah, liqenin e vogël artificial, faqen e zhubravitun të atij liqeni të vogel artificial. Ma kujtuen diten kur qeme, kur une e ajo qemë atje, ne atë liqe diku midis bjeshkëve. Ranën e imtë, atë pak ranë të imtë buzës së atij liqeni artificial. Heshtjen. Mandej, diellin. Dhe qiellin. Dhe gërshetat e rrezeve të diellit mbi ose në valë. Kaltërine e qiellit mbi ose ne valë. Më mirë: diellin në kupë të qiellit që, bashke ëe nji copë te madhe te qiellit, ish fundosë në liqe të vogël artificial. Dielli e qielli korkolliteshin në faqen e atij liqeni artificial, në faqen e zhubravitun të tij ku çdo gja përflakej: uji kallej e bahej prush ( pata ndezë nji cigare në nji gacë, të cilën e pata marrë nga ai prush i ujit). Mirëpo, nuk kallej vetëm uji; kallej dhe ajri. Ajri kallej dhe bahej hi ( gacën, me të cilën e pata ndezë cigaren, e pata futë në atë hi). Ai hi, që mue nuk më bante kurrfarë përshtypje, derdhej mbi liqenin e vogël artificial, mbi bjeshkët, mbi majat e bjeshkëve. Derdhej. Ai hi. Ai ajr që bahej hi. Derdhej. Madje edhe ajo, ulun pranë meje, zu me murmuritë:
- Eu, hi! . . . Eu, hi! . . . - tha dhe i shtriu duert, thuese priste të binte ai farë hini në ato duer të saj. Kurse duert e saj të shtrime dukeshin si dy lugë të shprazta.- Hi, po bie hi!
- Hi?! .. . Hi, hëm, hi?!
- Pse, a për ty, ky hi, s,asht ndodhi?
- Për mue asht krejt njisoj.
- Lehtë për ty, kur gishtat i ke pa thoj.
- Ti, moj ... - thashë dhe deshta t'i them dhe diç, por nji rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, në kurrizin e nji vale të liqenit të vogël artificial. E kur ajo rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, heshtjen mbi liqenin artificial e coptoi nji pingrimë e shkurtë, por e shqerun, e nji zogu. E lypa me shikim, u përpoqa me e pa atë zog, por nuk e pashë. Njimend, më bahej se i ndëgjojsha flatrat, më bahej se e ndëgjojsha fërfërimën e flatrave të atij farë zogu, por ai farë zogu nuk shihej askund. Pastaj, përsëri, ra nji heshtje e randë, të cilën, tash, rrekej për ta trazue nji gjinkllë e strukun diku në nji shqopë, mbrapa nesh. Kurse unë vazhdova me e soditë liqenin e vogël artificial. Pashë se mbi ose në valët e tij aty këtu, vdisnin edhe rreze të tjera të diellit. Para se të vdisnin e të vorroseshin në thellësitë e liqenit,gërshetat e rrezeve të diellit vizllojshin si vistra xherdanësh. Vizllima e tyne e mbramë shpërndahej në të katër anët e liqenit artificial. Por, nganjëherë, nuk dukeshin si vistra xherdanësh; më bahej sikur para syve nuk i kisha rrezet, po diç që i ngjante eshtnave të skeleteve të coptuem, eshtnave të shpërlamë mirë e mirë nga uji që tash vizllojshin në diellin e copën e qiellit që korkolliteshin në faqen e zhubravitun të liqenit. Madje, kur ndodhte të takoheshin valët, më bahej sikur ndëgjojsha edhe takarritjen e topitun të tyne. Mirëpo, ndodhte që të mos duken as si vistra xherdanësh, e as si eshtnat e skeleteve të coptuem që tash notojshin mbi ose në valët e liqenit. Kur nuk dukeshin as si vistra xherdanësh dhe as si eshtna të skeleteve të coptuem, më bahej se para syve kisha nji vistër peshqish që kishin dhanë shpirt dhe, tash, barku i tyne i bardhë përkundej mbi valë. Kështu, unë nuk dijsha ç'ishte ajo që vizllonte në diellin dhe në copën e qiellit që korko lliteshin në faqen e zhubravitun të liqenit. Por edhe sikur të dijsha, asgja nuk do të më shqetësonte. Për mue ishte krejt njisoj a vizllonte ky apo ai send.
- Shëndosh kryet, - thashë, madje, se kapuça kemi mjaft!
- Mirë, - tha ajo, - por ç'me ba kur po laknisen fort shpejt?
- Paj, i ndërrojmë..
(vazhdon)
RECENSION
Vjosë Karanezi, "S'më la koha të bëhem kohë", Poezi, Botoi "Fidani", Prizren, 2005
Vetë jeta brenda së cilës përpëlitemi, ecim, lëmë gjurmë, është një kohë, është një kronikë. Se sa e perceptojmë atë dhe si e perceptojmë, janë shumë faktorë që e rrethojnë njeriun tanë, në këtë rast edhe poeteshën e re, Vjosë Karanezin. Ajo bashkëjeton me këtë kohë, e percepton atë nga bota e saj dhe përmes fjalës së saj, koha vjen e bëhet varg. Janë ngacmimet e brendshme emocionale të cilat kthehen në metafora dhe si të tilla ato sot vijnë përpara nesh. Këto ngacmime të brendshme emocionale, patjetër se janë lindur, ushqyer e rritur brenda saj. Pra, ato janë bërë pjesë dhe mishërim, që patjetër kanë ndikuar edhe faktorë që e rrethojnë njeriun tonë. Po të kthehemi tek kapitulli i fundit i librit: "Ju që mbollët dashuri në poezinë time", frymëzimi do të na dalë nga rrënjët, rrethi, njerëzit pranë saj, dashuria,koha... E gjithë kjo dashuri, bëhet varg dhe hyn në lirikë si një metaforë e cila rrezaton dritë; "Mbi të gjitha, unë humbësi i kohës", është lirika e cila vjen, hyn në kohë si pendim, për atë që ndonjëherë mund edhe të mos jetë sjellë brenda konditave të kohës. Vjenë si liri e zgjeruar brenda pjekurisë së moshës, vetëdijesimit personal, rrethit dhe faktorëve tjerë, që nganjëherë na i sjell koha. Pra, shpeshherë na ndodh që të jemi vetëm fiziku i kohës, por që më vonë do ta kuptojmë se kemi qenë edhe jashtë rrjedhës së saj. Ky definim në perceptimin poetik të poeteshës, na vjen si kotësi e së kaluarës dhe, pritja bëhet e padurueshme, sa që hyn edhe në varg; "deri kur", fq. 4, pra bëhet poezi, të paktën sa për ta qetësuar shpirtin e trazuar. Perceptimi i kohës kap dimensionet e akceptimeve nga këndi i poetit. Pra, kalohet në një perceptim më të gjallë, për të qenë vigjilente edhe me kohën brenda së cilës hapërojmë. I gjithë ky perceptim, kjo bredhje nëpër kohë, është një udhëtim që shkrihet në varg. Dhe ky bashkëpërjetim me kohën, me njerëzit, ushqehet me dashurinë e poeteshës, dashuri e cila doemos kalon nëpër labirintet e kohës. Është e patjetërsueshme se poetesha ia del t'i tejkalojë labirintet e kohës, i beson vetes, fjalës dhe këtë besim ajo kërkon ta shpërndajë përmes vargut. Në këtë rast lirika bëhet thirrje, apel për besim, duke e larguar pesimizmin që mundë të shoqërojë moshën, rininë. Pra, është mosha që e shoqërojnë ndjenjat, dashuria, shqetësimet, ka grindje, heshtje kësaj kohe, ndarje, gabime kërkim falje, deri në kërkim të një qetësie pse të mos themi shpresuese. I gjithë ky udhëtim me kohën bëhet varg, lirikë që rrallë herë shkruhet për të, sidomos nga gjinia femërore. Është guxim, pse të mos themi se vetë jeta është një varg që diku fillon dhe rrjedh rrjedhshëm me kohën. Është dashuria që e ushqen atë, i jep shpresë, motiv, nxitje për ecje përpara. Nuk folëm për stilin, gjuhën, vargu, strukturën dhe shumë elemente tjera që e përbëjnë vargun, por mendojmë se modestia është shumë e arsyeshme për librat e parë.
Gëzim Ajgeraj, Prizren, korrik 2005
NË RRUGËN E ARTIT
Udhëtimi në rrugën e artit është udhëtim me diellin. Nëse dielli ka arritur të na ndriçojë e të ngrohë botën, t'i shtojë jetë e ta zhvillojë në vazhdimësi, shkrimtari ka misionin e shenjtë që këtë në vazhdimësi ta edukojë, t'i shpalosë rrugën e dritës andej nga shkëlqen dielli. Dhe kjo ecje në kohë, nuk edukohet duke treguar përralla gjumi, duke ia bërë udhëtimin parajsë, pa qoftë edhe një metaforë sepse vetë udhëtimi nëpër ëndrrën jetë, është një metaforë.
Nëse si shkrimtar nuk ia ke arritur ta tregosh rrezen e parë të diellit nëpër vazhdimësinë kohë, beteja e misionit tuaj ka dështuar. Dhe duke pasur parasysh këtë vazhdimësi kohë që shpeshherë ka qenë e hazdisur, ajo e ka përbirë autorin. Sepse, kjo hasdisje e ka luftuar gjithmonë shkrimtarin, por jo gjithmonë njësoj për secilin. Kështu, duke qenë vazhdimësia kohë më dinake se krijuesi, për disa krijues ka qenë vdekësore, për disa të tjerë rënie e zakonshme. Me një fjalë,. nuk ka shkrimtarë që nuk ka rënë në kurthin e saj. Ndërsa, për të tillët që kanë qenë përsiatja e vetvetes, ka qenë rënie më e ëmbël. Kësisoj, përkushtimi me vetëdije të plotë në letërsi është një vrap i pandërprerë në hapin me diellin. Rëniet e saj nisin vrapit të dritës për ta kapur atë rrezen e parë, për të cilën shumë herë duhet të flijohet nga vetvetja. I gjithë synimi i pendës së shkrimtarit, është ta kapë shkëlqimin e diellit, sepse nga aty do të marrë dritë vazhdimësia kohë. Dhe, nëse ia ka arritur ta zërë rrezen e parë, ai ka triumfuar që t'i paraprijë vazhdimësisë së edukimit të kohës.
Zvicër, 16.11.2005
PËRSE LITERATURA?
Një pyetje shumë komplekse, përgjigjja e së cilës përditë ma përpin një pjesë të jetës, është një ngacmim i brendshëm, që pasqyrimin mbi botën e zgjon përmes kujtesës dhe fantazisë dhe e pasqyron tek njerëzit tjerë. Ajo e zgjon dhe i ndërmjetëson kujtesën e të panjohurës për njerëzit, për botën tjetër. Mjafton që ajo ta ngacmojë kujtesën tuaj, e cila do të zgjohet si një fantazi brendapërbrenda idesë që e kërkon dritën. Dhe kudo horizonteve të asaj fantazie, lindin idetë që patjetër do të jenë të leverdishme për ngacmimin e mendjes dhe shpirtit. Brenda arkivit të saj, ruhet misteri i ngacmimit të fantazisë dhe mendjes së njeriut.
Zvicër, 3.10.2005
Metafora: Editorial i poetit (del çdo tre muaj); Redaktor: Gëzim Ajgeraj; Këshilli editues: Iljaz Prokshi, shkrimtar (Prishtinë), Flori Bruqi, publicist e shkrimtar (Prishtinë), Engjëll Shehu, poet (Belgjikë – Tiranë); Lektor: Ilam Berisha; Adresa: Gëzim Ajgeraj, Statsstr. 111, 9472 Grabs, Zvicër, tel: ++41. 81 74 035 74, Adresa në Kosovë: Ilam Berisha, Prizren.
Albumi i UÇK-së
ZJARR NË VËRRI, ZJARR NË JESHKOVË
Vendosja e Bashkim Sukës në Jeshkovë pati rëndësi të shumëfishtë strategjike, operative e logjistike, sepse në këtë katund kishte përkrahje të madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në Jeshkovë vepronin "Djemtë e Vërrinit" të cilët përherë e kishin përkrahjen dhe mbështetjen e vërrinasve. Bashkim Suka, këtu shkëlqeu me heroizëm e trimëri në Betejën e Korrikut, ndërsa në luftimet e shtatorit të vitit 1998 mbeti një emër i paharrueshëm për vërrinasit dhe për Njësitin Special.
Bashkim Suka (2 shkurt 1979 - 11 mars 1999)
Beteja e Vërrinit
Prof. Dr. Sabahudin Cena
Beteja e Vërrinit mbetet beteja më e përgjakshme që do të shënohet në faqet më të arta të historisë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku me turp u thyen paramilitarët, policët dhe ushtarët e "Divizionit të Turpit" i cili marshonte përherë prej Prizrenit dhe pas disfatave që pësonte, hakmerrej mbi popullatën e pafajshme civile në Vërri, në Anadrin e në tërë Kosovën martire. Njëri prej dëshmorëve të rënë në këtë betejë të kënduar edhe në rapsoditë tona, është dëshmori Bashkim Ismajl Suka. Bashkim Suka, i biri i Ismajlit të Sukajve të Bllacës heroike dhe i Halimes, bijë e Cakajve të Budakovës legjendare, i vëllai i Florisë, i Muhametit, i Avniut dhe i Abdylit, është i lindur më 2 shkurt të vitit 1979 në Prizren, në lagjen e "Trimave", në lagjen ku mbinë filizat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmori i kombit Bashkim Suka, shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në Prizrenin e Abdyl Frashërit e të Tahir Sinanit. Po këtu vazhdoi shkollën e mesme duke i vijuar mësimet në departamentin teknik, dega për automekanik pranë Shkollës së Mesme Teknike "Gani Qafdërbasha" të Prizrenit. Gjatë shkollimit dhe ushtrimeve për këtë degë të zejtarisë, lidhet me Lëvizjen Popullore, Frontin e Rezistencës Kombëtare, Grupi Ilegal i Tusuzit, njëra prej lagjeve ku me kohë zuri të farkohej krijimi i instrumentit të forcës. Kështu, më 1990, nëpërmjet dajës Islam Caka, veprimtar i shquar, takohet me Nasimi Elshanin e Nagacit të Anadrinit e më vonë lidhet me Xhevat Berishën, Salajdin Brahën, Ismajl Kryeziun, Elbasan Shoshajn e Mursel Osmanajn, dëshmorë të kombit, përkatësisht luftëtarë të lirisë dhe kështu, dëshmori Bashkim Suka kyçet në veprimtarinë ilegale që kishte lëshuar flatra nëpër Prizren e veçanërisht pas rënies së dëshmorit Xhemali Berisha, profesor, poet dhe intelektual i shquar. Në janarin e vitit 1990, Bashkim Suka kishte marrë pjesë edhe në demonstratat e Krushës së Madhe dhe në shënimet e përvjetorëve të parë nëpër fshatrat e Anadrinit për dëshmorët: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi, ndërsa në fshatin Shirokë të Therandës për dëshmorin Besim Ndreca. I tërë gjiri familjar i Ismajl Sukës ndiqej në çdo hap e veçanërisht në fokus të pushtetit serb u bë veprimtaria e të birit Bashkim; i ndjekur, i rrahur dhe i maltretuar, por i shpëtoi burgosjes dhe kështu me të afërmit e tij në Bllacën legjendare vazhdoi veprimtarinë e vet deri më 1997. Pas këtij viti zë ta vizitojë Drenasin dhe të qëndrojë nëpër fshatrat: Krojmir, Shalë e Kezharekë dhe kështu lidhet me ilegalen e Drenicës së Adem Jasharit.
Heroizmi i "Djemve të Jeshkovës"
Në maj të vitit 1998, me rastin e rënies heroike të dëshmorëve: Përparim Thaçi, Fehim Gashi e Sakip Bellaqa, merr detyra shumë të rëndësishme për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendet në formacionin e Shtabit Operativ Lokal për Vërrinin e Prizrenit në Jeshkovë. Menjëherë edhe i fillon stërvitjet ushtarake dhe ndihmon në forcimin e sektorit të logjistikës. Pas kryerjes së stërvitjeve, inkuadrohet për veprimtari në Skuadrën e Policisë Ushtarake e më vonë emërohet komandant skuadre në Njësitin Special të Vërrinit, duke bashkëvepruar me shtyllat e rezistencës së armatosur në rajonin e Prizrenit si: Remzi Ademajn, Xhevat Berishën, Hysen Rexhepin, Fatmir Berishën, Ekrem Rexhën, Agim Shalën, të gjithë dëshmorë të kombit dhe me luftëtarët e lirisë si: Zafir Berisha, Islam Caka, Mursel Osmani, Naser Berisha, Xhemshit Krasniqi e Xhevit Berisha, Elbasan Shoshaj e Ismajl Kryeziu. Veprimtaria e këtillë e Bashkim Sukës ndikoi mbi pushtuesin serb dhe kolaboracionistët që të fokusohet edhe më shumë familja e Smajl Sukës në lagjen e "Trimave", prandaj edhe ia djegin shtëpinë. Vendosja e Bashkim Sukës në Jashkovë kishte rëndësi të shumëfishtë strategjike, operative e logjistike sepse në këtë fshat kishte përkrahje të madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës; në Jeshkovë vepronin "Djemtë e Vërrinit" të cilët përherë e kishin përkrahjen dhe mbështetjen e vërrinasve. Bashkim Suka, këtu shkëlqeu me heroizëm e trimëri në Betejën e Korrikut, ndërsa në luftimet e shtatorit të vitit 1998 mbeti një emër i paharrueshëm për vërrinasit dhe për Njësitin Special. Gjatë qëndrimit në fshatin Reti të Anadrinit shquhet si instruktor dhe luftëtar i betejave nëpër Lugjet e Qëndresës dhe gjendet në ballë të Brigadës 125 të Prizrenit e cila kultivonte traditën dhe amanetin e Remzi Ademajt - komandant Petrit Kodrës. Në luftimet e përgjakshme të zhvilluara në Jeshkovë, më 1 dhe 2 shtator të vitit 1998 plagosen rëndë Bashkim Suka dhe Fatmir Berisha. Në saje të përkujdesjes së madhe të dr. Bakiut, të motrave Shala dhe të motrës medicinave Melihate Hallaçi, plagët e kësaj beteje i mbijetoi Bashkim Suka ndërsa Përjetësinë e mori dëshmori i kombit Fatmir Berisha. Në orët mëngjesore të 11 marsit të vitit 1999, Jeshkovën legjendare e rrethojnë hordhitë e egra e barbare ushtarake, paramilitare e policore serbe. Me një arsenal të madh armatimi të të gjitha llojeve e kalibrave sulmohen dhe rrethohen pozicionet e Marsit në Jeshkovë e në Vërri me destinacion permanent Jeshkovën dhe shkatërrimin e Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Zonës Operative të Pashtrikut të Brigadës 125 të Prizrenit. Kjo ishte ndër betejat më të ashpra sepse rreth 3 000 forca serbe, të shfrenuara e të çmendura - të përgatitur për masakra ndaj popullatës civile, vërsulen mbi rreth 30 luftëtarë të lirisë. Beteja zhvillohet në afërsi "bombë dore" dhe "fyt për fyti". Por luftëtarët e lirisë, të komanduar prej Hysen Rexhepit, dëshmor i Jeshkovës dhe luftëtarit Samedin Xhezairi, të njohur si komandant Hoxha, bëjnë rezistencë të pashoq duke u përballur sulmeve të hordhive të egërsuara e të dehura serboçetnike. Në këto luftime, më 11 mars të vitit 1999 së bashku me shokët e njësitit, merr Përjetësinë edhe dëshmori i kombit, Bashkim Ismajl Suka, komandant skuadre në Njësitin Special të Brigadës 125 të Prizrenit.
Përjetësia
Më 17 mars, luftëtarët e lirisë - dëshmorët e kombit që ranë më 11 mars në Jeshkovë varrosen në "Varrezat e Dëshmorëve" të Zonës Operative të Pashtrikut në fshatin Pagarushë. Kështu, në të mërkurën e 17 marsit, të mbuluar me dëborën e bardhë të pragut të pranverës si pranverat e Hysen Rexhepit, Hajdar Shalës, Ferid Susurit, Ymridin Çengajt, Hamit Thaçit, Tahir Gashit, Skënder Latifit, Alajdin Xhezairit, Besnik Kastratit e të Bashkim Sukës me shokët të cilëve ende nuk u dihen nishanet, nga Prizreni i Remzi Ademajt, kishin arritur nënat, motrat, etërit, vëllezërit dhe farefisi i madh prej viseve të ndryshme të Trojeve Etnike, për t'i përcjellë "Djemtë e Vërrinit" ashtu siç i renditi rapsodia popullore. Atë ditë, në muzgun e mbrëmjes, në fshatin Pagarushë u hapën varret për Dëshmorët e Vërrinit por edhe frymuan zemrat e krenarisë kombëtare e të qëndrimit burrëror të nënave, të motrave e të bashkëshorteve të cilat i forconin bonjakët e dëshmorëve që rrinin pranë arkivoleve të etërve të rënë Lugjeve të Jeshkovës e të sjellë në zemrën e Zonës së Lirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - në Pagarushën e Malishevës. Bashkim Suka, djalosh kallushan, me flokë ngjyrë gështenje, i lindur dhe i rritur në një familje me tradita patriotike, humane e mikpritëse, edhe vetë ishte shumë human e tejet i vendosur. Përherë rrinte i buzëqeshur, i afërm si me shokët e lagjes ndërsa ishte çapkën-çuni e i këtillë mbeti edhe me bashkëluftëtarët. Kishte talent për art, veçanërisht për muzikë e shquhej edhe me shkathtësi për mekanikë precize. Vetë e pati punuar një pistoletë për qitje me një fishek dhe një pushkë gjuetie, që sot prindërit i ruajnë në koleksionin e kujtimeve për dëshmorin. Po këtu, në dhomën e pritjes gjendet edhe një fletore, ditar me fragmente nga jeta e luftëtarit Bashkim Suka, sot dëshmor i kombit, ndërsa nëna Halime ia ruan çiftelinë dhe një qafore me medaljon luftëtari. Të gjitha këto sajojnë një muzeum në miniaturë, e në krye të tyre qëndron një pano me portretet e "Djemve të Jeshkovës" që ranë më 11 mars të vitit 1999. Rënia e Njësitit Special të Brigadës 125 në Lugjet e Jeshkovës më 11 mars të vitit 1999 ishte një humbje e madhe për brigadën, për Zonën Operative të Pashtrikut dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por pas marrjes së Përjetësisë të "Djemve të Vërrinit", kjo ushtri u bë edhe më e fortë sepse me turp u thye i tërë "Batalioni i Qyqeve" dhe "Divizioni i Turpit" të ushtrisë serbe të kazermuar në Prizrenin - Zemër të Shqiptarisë. Dëshmorit të kombit, Bashkim Sukaj dhe "Djemëve të Jeshkovës", mu në fshatin Jeshkovë, u është ngritur Lapidari i Përbashkët i cili do ta kujtojë Betejën e Jeshkovës, heroizmin e luftëtarëve të Vërrinit dhe legjendën për këtë epope të madhe.
Tregim
RËNIA E MËSUESIT MILITANT
Ilam BERISHA
(Ish kolegut tim të punës, mësuesit të popullit, Xhevat A. Berisha, që ra heroikisht më 1 shtator 1998 në katundin Lez)
Mësues i popullit e quanin. Mbi njëzet vjet nuk ishin pak për t'u mishëruar me popullin. Krahas punës si mësues, Xhevati, është marrë me veprimtari të shumta atdhetare dhe mëtim të vetmin kishte lirinë për popullin shqiptar dhe, sa më parë ta shohë të bashkuar. Kishte shpresë, dhe gjithmonë i bindur se fuqia e luftës për liri, qëndron dhe do ta gjejë atë në popull. Vitet e errëta të robërisë së atdheut që rridhnin, rëndonin gjithnjë e më tepër mbi shpatullat e Militantit. Sa e sa vite përpjekje, rrahje, burgosje e vrasje ndaj popullatës së shumëvuajtur. Dhe, të gjitha këto, qenë frymëzim për atdhetarin, për t'u kalitur me guxim e forcë për ta vënë veten në shërbim të çështjes madhore për çlirimin e atdheut. Pranvera e luftës që veç po fillonte, Xhevatin e gjeti nën pranga, në muret e errëta të burgut. Qe një plagë e rëndë kjo për të. Në shpirt i rëndonte brenga e mungesës që do ta ketë atdheu, shokët, malet. Prangave në duar, rëndonte terri i robërisë. Mbi trupin e tij, djalli vizatonte shkronjat e dhunës, ndërsa eshtrave, ndrydhte shpresën e dritës. Militanti qëndronte i pathyer. Dhe, ndodhi mrekullia! Shpresës së lirisë, që ende i therte eshtrave, i dha dritë-udhë e e ngjiti maleve. Pushka e priti varur në kullë, ndërsa shokët e pritën me zemra të hapura në male. Dita e ëndrrave të bardha, tashmë po fillonte për dasmën e madhe të lirisë.
Refren i tij, tashmë i njohur: Liria nuk vjen pa e kapur pushkën, veç u bë realitet. Tashmë me krah shqiponje dukej Xhevati.
A, erdhi dita? – u tha shokëve tek i përqafonte radhazi njërin pas tjetrit diku në male. Zemra e mësuesit rritej bashkë me filizat e atdheut, duke iu bashkuar rreshtave të lirisë.
Tashmë, ai mishërimi me popullin ndriçonte kudo. Djemtë më të mirë të atdheut, ngjiteshin rreshtave të lirisë që zgjateshin ditë për ditë, ndërsa maleve mbushullonin këngët e çlirimtarëve. Zona ku vepronte Xhevati me shokë, qe shpallur e lirë, ndërsa veprimet e mëtutjeshme bëheshin sipas urdhrave ushtarake nën drejtimin e Komandantit.
Lufta po vazhdonte. Shtatori për dituri të reja, do t'u mungojë fatosave të Vërrinit. Militanti, i është përveshur maleve, në ballë të pozicioneve duke u prirë shokëve drejt lirisë. Këto ditë, lumenj gjaku u derdhën në katundet e Vërrinit. Xhevati, në vend se të fillonte luftën për dituri të reja, ai u printe ushtarëve dhe deri në plumbin e fundit, duke fituar pavdekësinë, për brezat - shembull dhe simbol qëndrese u bë.
shtator 1998
INTERVISTË ME DREJTORIN E SHKOLLËS FILLORE "MIC SOKOLI" TË MALËSISË SË VËRRINIT, z. SELAJDIN SELMANAJ
(Në oborrin e shkollës gumëzhijnë zëra kalamajsh të cilët bashkë me cicërimën e zogjve të mëngjesit, sikur i japin gjallëri jetës së kësaj ane. Ëndrra e kamotshme për një liri të plotë, tashmë vërehet në zemrat e tyre. Para derës së ngrehinës së re, mësuesit, me sa duket, bisedojnë lirshëm. Brenda, në muret e korridorit, portrete fotografish të dëshmorëve shkëlqejnë, duke na bërë me dije se kjo ngrehinë u rindërtua falë gjakut të derdhur të tyre. Portreti i mësues Xhevatit, e bën të pavdekshëm atë dhe gjithmonë të pandashëm nga bashkëluftëtarët, nga kolegët, e nga fatosat që morën nga Ai nektarin më të çmuar. Edhe mësues Hasimin, Tamilin e të tjerët i pamë duke jetuar në pavdekësinë e kësaj bote. Në katin e dytë ndodhet zyra e drejtorit të shkollës. Deri aty më shoqëroi korrieri i shkollës. Pas trokitjeve në derë, hyra brenda. Mirëdita! – përshëndeta drejtorin e shkollës. Mirëdita, më ktheu përgjigjen, duke më dëshiruar mirëseardhje. Duke më mirëpritur për qëllimin e vizitës sime, pa humbur kohë, filluam intervistën).
Ilam Berisha
Revista "Metafora": Z. Drejtor, jam anëtar i redaksisë së revistës "Metafora", e cila botohet në Zvicër nga veprimtari tashmë i njohur për publikun, z. Gëzim Ajgeraj, a mund të na flisni shkurtimisht diçka për historikun e shkollës në Malësi të Vërrinit?
S. Selmanaj: Duke ju përshëndetur juve dhe stafin tuaj realizues të revistës "Metafora", me kënaqësi mund të flas për shkollën shqipe në Malësi të Vërrinit. Gjeneza për edukimin dhe arsimimin e brezave të kësaj ane ka filluar qysh herët, në fillim nëpër oda dhe në xhami të katundit, e mandej, në vitin 1948, u ndërtua shkolla e parë, në fillim me 50 nxënës, ndërsa më vonë numri i nxënësve shtohej çdo ditë e më tepër.
"Metafora": Ju kujtohen mësuesit e parë të shkollës suaj dhe, cili ishte kontributi i tyre?
S. Selmanaj: Mësues i parë i shkollës sonë ishte Leon Laçi nga Prizreni, i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm rreth përhapjes së diturisë tek nxënësit e atëhershëm.
(Gazetari ynë, Ilam Berisha, në bisedë me drejtorin e sh..f. “Mic Sokoli”, z. Selajdin Selmanaj)
"Metafora": Sa është i përtëritur arsimimi në lokalitetin ku ju jeni drejtor?
S. Selmanaj: Ndonëse kanë kaluar breza e breza të shkolluarish, të rinjtë e kësaj ane mendoj se duhet t'i qasen me një përkushtim më të madh shkollimit të lartë.
"Metafora": Në kohën e okupimit total, sidomos pas vitit 1990, si u keni përballuar sfidave të asaj kohe?
S. Selmanaj: Si çdo shkollë shqipe, edhe shkolla jonë me përpjekjet maksimale të personelit arsimor ia kemi arritur t'u bëjmë ballë sfidave të kohës për realizimin e qëllimit parësor rreth edukimit dhe arsimimit shqip.
"Metafora": Vërrinin e përfshiu luftë e ashpër nga okupatori serb, si e përjetuan shkollat dhe arsimi në këtë lokalitet?
S. Selmanaj: Mendoj se, shkollat shqipe gjithmonë kanë qenë halë në sy për armikun, dhe në vend se më 1 shtator të 1998-s të fillonte mësimi, predhat e para janë hedhur në objektin e shkollës sonë, natyrisht duke përjetuar shumë rëndë një gjë të tillë.
"Metafora": Shkolla, tashmë e re, e rindërtuar mbi themelet e shkollës së djegur nga okupatori, sa jeni të kënaqur me kushtet në të cilat punoni?
S. Selmanaj: Shkollën e re, përkatësisht këtë objekt ku jemi sot, na e ka rindërtuar Qeveria Japoneze, përurimi i së cilës është bërë më 19 shtator 2001 dhe, lirisht mund të them se jam i kënaqur me kushtet në të cilat punojmë sot.
"Metafora": Nga kjo shkollë janë edukuar dhe arsimuar breza të shëndoshë në pikëpamje kombëtare, siç janë të njohur dëshmorët e popullit: Xhevati, Selveri, Hasimi etj. a mund të na thoni diçka?
S. Selmanaj: Ideali më i lartë për njeriun është dashuria ndaj atdheut dhe, lirisht mund të mburremi me emrat të cilët ju po i përmendni se, pikërisht nga kjo vatër arsimore kanë dalë dëshmorët e kombit: Xhevat Berisha, Hasim Berisha, Tamil Thaçi, Selver Maçkaj, Astret Poniku, Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Shahadin Berisha e shumë dëshmorë tjerë të cilët ranë burrërisht e heroikisht në mbrojtje të atdheut.
"Metafora": Sa nxënës ka shkolla sot?
S. Selmanaj: Shkolla fillore "Mic Sokoli" në Malësi të Vërrinit ka 365 nxënës.
"Metafora": Ju drejtoni edhe shkollën në Arbëri, në Kushtendil dhe në Lez, çka mund të na thoni për këto shkolla?
S. Selmanaj: Në kuadër të shkollës sonë janë shkolla e Arbërisë, e Lezit dhe e Kushtendilit. Me keqardhje them se, shkollat në Lez dhe në Kushtendil, e kanë ndërprerë procesin mësimor si pasojë e dëmtimit nga lufta dhe të migrimit të popullatës së këtyre katundeve në qytet.
"Metafora": Keni ndonjë mendim lidhur me botimin e ndonjë reviste në kuadër të shkollës?
S. Selmanaj: Shpresoj se së shpejti edhe në kuadër të shkollës sonë do ta nxjerrim një revistë mujore.
"Metafora": Si e shihni të ardhmen e Kosovës si historian që jeni?
S. Selmanaj: Si historian dhe si banor i Kosovës, zgjidhjen e çështjes së Kosovës e shoh vetëm shtet sovran dhe të pavarur, të integruar në organet ndërkombëtare.
"Metafora": A i keni marrë numrat e deritashëm të revistës "Metafora" dhe a mund të na këshilloni diçka?
S. Selmanaj: Me kënaqësinë më të përzemërt ju përgëzoj për nxjerrjen e revistës "Metafora", e cila përveç rëndësisë artistike e informative që ka, më duket se është urë ndërlidhëse ndërmjet bashkatdhetarëve me vendlindjen, duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese të mëtejme.
" Metafora": Në emër të stafit të revistës që veç ka filluar të lëshojë shtat nëpër vende të ndryshme të botës, ju dëshirojmë sukses, duke ju përshëndetur Juve z. Drejtor, dhe tërë kolektivin e shkollës fillore duke mos i lënë anash edhe fëmijët të cilët janë ardhmëria jonë.
Malësi e Vërrinit, 16 nëntor 2005
DIANETIKA DHE PERSONALITETI KRIJUES APO POLITIK
Gëzim Ajgeraj
Le ta kemi parasysh njeriun krijues apo politikanin dhe ta zbërthejmë atë sipas metodës së Dianetikës. Duam të themi: Le ta zbërthejmë shëndetin mendor të këtyre dy karaktereve që vumë në spikamë. Le t'i zbërthejmë për t'i parë se sa jemi në vigjilencë të perceptimit real dhe joreal të perceptimit të të tashmes apo realitetit që na rrethon neve. E gjithë filozofia e të tashmes është e lidhur ngushtë me të kaluarën dhe të ardhmen. Kur i vëmë në peshojë këto tri kohë dhe intelektualin apo politikanin në anën tjetër, na del një kaos që vështirë është të shihet drita shkëlqyese e së ardhmes. Kjo na del nëse gjërat shihen nga prizmi negativ i çështjes. Pse mos t'i shohim nga ky prizëm kur punët nuk na kanë shkuar mbarë në të kaluarën? Edhe nëse ka pasur veprime dhe punë të mira, në detin e gjithë atyre të këqijave që kaluam, është shumë vështirë ndarja. S'duam të mohojmë se nuk kishte veprime të mira, por ato kanë qenë individuale dhe as që duam t'u hyjmë atyre detajeve. Meqë nuk kishim pushtet tonin, arsyetimi qëndron se problemi është prekur nga këndi kritik, siç qëndron edhe një pjesë e krijuar dhe e veshur me këtë vello. Flasim krejt për një çështje tjetër dhe as që do të ndalemi tek këto problematika të kohës së shkuar. Megjithatë gjatë shtjellimit të mëposhtëm të temave që u prekën, do të na dalë se këto çështje kanë shumë rëndësi, sepse është individi pjesë edhe e kohës së shkuar që do ta zbërthejmë. Pra, nuk duam të mbetemi as tek Dianetika si shkencë e shëndetit mendor, por njeriun tonë duam ta vëmë në pasqyrën e ligjeve Dianetike, për të parë se si ishim, si jemi dhe kush do të jemi. Le ta marrim një krijues dhe ta zbërthejmë atë, për ta parë sa është në gjendje ta perceptojë realitetin e tashëm dhe ta pasqyrojë atë në krijimtari. Sa është në gjendje të rikthehet në të kaluarën, sa ka qenë në gjendje ta perceptojë atë, a ka jetuar brenda rrjedhave reale, apo brenda atyre që i kanë shtruar interesat, koha, situata apo edhe interesat e ngushta, duke anashkaluar misionin e përgjithshëm që ka personaliteti krijues. Nëse ai ka qenë viktimë e kohës dhe nuk është përballur realisht me realitetin, por ka qenë në shërbim të interesave të caktuara, si e sheh sot atë realitet dhe mos sërish rrëshqet interesave xxx? - Si do të mund ta ndërtojë vizionin e shëndoshë për të ardhmen? Këtu pra, na del problemi që e zbërthen Dianetika. Ajo vërteton se veprimet e gabuara në të kaluarën, shumë herë janë vërtetuar edhe si gabime në të tashmen. Vetë përballja e trurit me të kaluarën, me jorealen, krijon apo bart të meta, që ndryshe të akceptohet e tashmja, kur i kemi parasysh ndryshimet tek ne. Të jemi më të qartë: Akceptimi i gabueshëm i së kaluarës krijon premisa me defekte për mospërballje me realen, pra gjithmonë duke pasur parasysh kohën dhe këtë kaos - gërshetim interesash tek ne. Ta lëmë krijuesin, a nuk kemi politikan të tillë edhe sot? Sa janë në ballë të situatës ata dhe si e perceptojnë realitetin e të tashmes? Pra, sipas metodës Dianetike të rikthimit, duhet të pyesim: Cila është e kaluara e tyre? Pra, duke pasur gjithmonë parasysh sistemin e huaj që pat dominuar tek ne dhe nëse politikani ka qenë i lidhur me të, automatikisht ndryshimet e tashme sjellin tek pikëpyetja jonë. Larg mohimit, dorën në zemër për ata që punuan drejt. Po kthehemi tek e tashmja ndryshe, kur komplet shërbimi rreth interesave ka ndryshuar. Pra, vijmë tek pika se, i aberruari i kohës së shkuar do të kalojë lapsusit të po atyre interesave të së kaluarës, dhe koha e tashme sërish do t'i ikë aberrimit. Kur i kemi parasysh këto dy kohë, patjetër edhe e ardhmja do të çalojë. I morëm këto krahasime për të sqaruar më konkretisht kohët dhe njeriun tek ne. Për të mos e keqkuptuar problemin vetëm në aspektin negativ, përsëri sipas Dianetikës ekziston njeriu Clear dhe ai i aberruar.
Perceptimi i të tashmes
Perceptimi i të tashmes, apo metoda e përballjes me realitetin. - E trajtojmë këtë çështje për faktin se perceptimi i të tashmes ndryshon nga një individ në tjetrin, dhe kjo është e rëndësishme edhe për fatin e ndërtimit të së ardhmes. Ka shumë arsye pse e trajtoj këtë çështje e cila gjatë shtjellimit do të kuptohet. Perceptimi sa më real i së tashmes nga individi, sipas shkencës së Dianetikës është i lidhur ngushtë me realitetin individual të së kaluarës së individit. Pra, në njëfarë mënyre, individi që është në gjendje të përballet me realitetin e së shkuarës, ai do të jetë në gjendje ta perceptojë drejt edhe të tashmen. Dhe, përballja me të kaluarën kërkon zotërimin e aftësisë së rievokimit apo rikthimit. Aftësia e rievokimit apo rikthimit, i jep hapësirë ekzaminimit të figurave shqisore të regjistruara në kohë dhe në ngjarje të caktuara. Dhe, ky kthim në përfundimet e parafytyrimit të së shkuarës, është një ndihmë e konsiderueshme në studime, kërkime apo edhe akceptime sa më reale të së tashmes. Pra, është një rizgjim i ndjenjave, për ta zgjeruar aftësinë e perceptimit tek individi që përballet me një çështje të caktuar në kohën e tashme. Sipas nesh, gjatë këtyre zbërthimeve na dalin dy çështje që lidhen me njëra-tjetrën. E para, se sa ka qenë real individi në perceptimet e tij në të kaluarën, që lidhet drejtpërsëdrejti me veprimet e tij. Apo, sipas Dianetikës, ka qenë në fazën e njeriut Clear apo atë të aberruar. Nëse ka qenë në të parën, patjetër se, edhe me të tashmen do të jetë në gjendje të përballet. E gjithë kjo, po lidhet me problemin e dytë të çështjes, rievokimin apo rikthimin i cili u jep hapësirë ekzaminimit të figurave shqisore të regjistruara më herët. Dhe, nëse ato figura që individi është përballur në të kaluarën në gjendjen Clear, është shumë afër mundësisë që edhe me realitetin e tashëm të jetë ashtu. Por, nëse individi ka qenë në gjendjen e aberruar në përballje me realitetin në kohën e shkuar, sërish do ta ndjejë një gjendje të tillë. Për ta thjeshtësuar këtë që e thamë, do të sqarojmë: Ushqimi i trurit në të kaluarën me gjëra të gabuara, do të krijojë gjithmonë premisa tek individi për gabime në përballje me realitetin. Dhe së dyti, aftësia e rikthimit, do ta kthejë pikërisht në ato zbatica, që i pasur dikur, të hapin mundësi gabimi në perceptimin e të tashmes. Kjo s`do të thotë se individi nuk do të jetë i korrigjueshëm. Me punë, vullnet dhe dëshirë arrihen të gjitha. Me këto çështje merret Dianetika, e cila përmes metodave të saj, në masë të caktuar ia arrin. U munduam që përmes këtij shkrimi, të bëjmë një ndarje apo klasifikim në mes të asaj që mund të quhet Clear dhe aberrim, përmes metodës së perceptimit të së tashmes, duke vënë në paralele gjendjen e individit dhe metodën e rikthimit.
Dianetikë - Teknologji e shërimit shpirtëror apo shkenca e shëndetit mendor.
Clear - Person racional, për faktin se ai formulon zgjidhjet më të mira të mundshme që ai i bën mbi bazën e të dhënave që ka nga këndvështrimi i tij.
Aberracion - Largim nga mendimi apo sjellja racionale.
12.10.2005
